Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj S.S. dhe A.F., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.S., gjatë vitit 2020, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, në cilësinë e pronarit të kompanisë, ka paraqitur të dhëna të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, duke falsifikuar dokumentacionin kinse ka lidhur kontrata me disa persona dhe me të njëjtat ka aplikuar për projektin “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, me ç’ rast ka përfituar grantin në vlerë totale të projektit të financimit 398 mijë e 810 euro.
Ndërsa, tutje thuhet se gjatë vitit 2020, dy të pandehurit, me veprime të ngjashme kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme grantin në shumën prej 399 mijë e 996 euro.
Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë, si dhe ka propozuar që të konfiskohet nga të pandehurit dobia pasurore e fituar nga vepra penale, për kompensimin e dëmit të shkaktuar buxhetit të Kosovës.