Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nxjerrë vendim për rishikimin e doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, të miratuar në vitin 2020.
Për procesin e rishikimit ministria ka njoftuar se do të formojë një komision me ekspertët më të kualifikuar në vend.Lidhur me doracakët për mësimdhënës, MASHTI ka njoftuar se prej vitit 2019 janë trajnuar më shumë se 2 mijë e 500 mësimdhënës.
“Deri tani nuk ka pasur asnjë shqetësim nga asnjë palë, përfshirë ekspertët shëndetësorë, psikologët, mësimdhënësit, drejtorët e shkollave, Drejtoritë Komunale apo palë të tjera në lidhje me përmbajtjen e doracakëve. Pra, nga asnjë mësimdhënës nuk është ngritur kurrë më parë kjo temë”, thuhet në njoftim.“Ndaj këtë proces të rishikimit do ta kryejmë me përgjegjësinë më të lartë etike dhe profesionale. Ndërkohë, Ministria e Arsimit kërkon nga të gjithë të përmbahen prej gjuhës tejet të papërshtatshme që po përdoret ditët e fundit. Po ashtu, njoftojmë mësimdhënësit dhe prindërit se doracakët do të largohen nga përdorimi dhe nga faqja zyrtare e MAShTI-t deri në përfundim të rishikimit nga komisioni me ekspertët më të mirë në vend dhe të gjitha palët kompetente që i japin siguri e qartësi këtij procesi. MAShTI është institucioni i vetëm kompetent me autoritetin ligjor për këtë çështje. Në këtë linjë, çdo vendim jokompetent nga institucionet komunale nuk prodhon asnjë efekt juridik” thuhet në njoftim.