Masat e Bashkimit Evropian, mosrealizimi i projekteve kapitale dhe zhvillimet në veri të Mitrovicës, ishin disa nga faktorët të cilët ndikuan në tkurrjen ekonomike përgjatë vitit 2023. Sfidë për vendin mbetet edhe migrimi.
Nga sanksionet e BE-së, Kosova humbi disa projekte qindra milionë euro, një prej tyre ishte edhe ai për regjistrimin e popullsisë në kuadër të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Deputeti nga PDK, Ferat Shala derisa akuzon qeverinë për mos realizim të projekteve kapitale, shprehet se në vitin 2024 nuk pret zhvillim të hovshëm ekonomik.
Se kjo qeveri ka dështuar në përmbushjen e premtimeve, e thotë edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa. Sipas tij, janë mbi 200 mijë qytetarë që mezi presin që të migrojnë për një jetë më të mirë.
Ndërsa, deputetja nga AAK, Time Kadrijaj derisa ka renditur faktorët që kanë ndikuar në ngecjen e zhvillimit ekonomik në vend, akuzon qeverinë për qasje arrogante.
Anën tjetër, njohës të ekonomisë derisa rendisin faktorët që kanë ndikuar në ngecjen ekonomike gjatë vitit 2023, thonë se qeveria gjatë këtij viti duhet të fokusohet në reforma strukturore.
I njëjti shton se edhe masat e BE-së karshi Kosovës kanë ndikuar në ekonominë e vendit.
Sipas tij, qeveria gjatë këtij viti duhet të fokusohet më shumë në reforma strukturore që sjellin qëndrueshmëri afatgjate dhe jo në skema sociale.
Ndryshe, nga njohësit e ekonomisë dhe opozita, pushteti vazhdon të mburret me punën që ka bërë sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Deputeti nga mazhoranca, Armend Muja thotë për KosovaPress, se rritja e buxhetit dhe të hyrat janë disa nga zhvillimet kryesore të vitit 2023.
Ndërkaq, Muja shprehet i bindur se rritja ekonomike do të vazhdojë edhe për këtë vit.
Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parasheh që rritja ekonomike për 2023 të arrijë 3.4 për qind, derisa për vitin 2024 të jetë 4.2 qind./E. Krasniqi