Masakra e Studimes, Osmani: Serbia ka kryer gjenocid, historia s’mund të rishkruhet
Lexohet për: 3 min.
homazhe-studime-020523
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në 24-vjetorin e masakrës së Studimes krerët shtetërorë e familjarë të shumtë kanë bërë sot homazhe dhe kanë nderuar të rënët e luftës së fundit.

Në akademinë përkujtimore u kërkua që para drejtësisë të vihen kryesit e kësaj masakre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se 24 vjet më parë në Studime të Vushtrrisë nga forcat serbe u krye masakra më e tmerrshme gjatë luftës së Kosovës.  

Osmani u shpreh se paqja e qëndrueshme afatgjate arrihet vetëm kur autorët e masakrave tw kryesa nga Serbia ndaj popullit kosovarë të vihen para drejtësisë.

Ajo tha se duhet të thuhet qartë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

“Kjo që ka ndodhur në Studime para 24 vitesh është argument i fuqishëm se historia nuk mund të rishkruhet dhe se në vitet 98’-99’ faktet historike ishin të qarta se njerëzit tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptar ata u vranë në shtëpitë dhe trojet e tyre. Andaj, sot si asnjëherë më parë duhet ta themi qartë dhe prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se paqja e qëndrueshme afatgjate është e mundshme vetëm kur autorët të dalin para drejtësisë dhe kur të zbardhet fati edhe i mbi 1600 të zhdukurve me dhunë dhe kur të gjithë ata që kryen këto krime monstruoze të paguajnë për krimet që i kryen”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh se plagët janë ende të hapura, sepse mijëra familje nuk dinë se ku ndodhen trupat e më të dashurve të tyre, dhe janë dënuar sic tha ai vetëm një grusht njerëzish për gjenocidin që kanë kryer ndaj popullit të Kosovës.

Konjufca theksoi se Kosova është gjithmonë e gatshme për tu ballafaquar me Serbinë e cila nuk është penduar për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u shpreh se çdo ditë duhet të kërkohet drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga Serbia.

2 maji është konsideruar si ditë e rëndë për Kosovën nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi i cili tha se 24 vjet më parë në fshatin Studime të Vushtrisë u vranë e u masakruan 116 civilë të pafajshëm.

Ai tha se për këtë masakër drejtësia vazhdon të jetë e heshtur, prandaj theksoi se vetëm gjykimi i kriminelëve do t’i lehtësoj familjarët e civilëve të vrarë nga forcat serbe.

Djali i Ali Rashicës njëri nga martirët e masakrës së Studimes, Astriti tha se për familjarët dhimbja është edhe me madhe pasi kryesit e kësaj masakre nuk janë vënë para drejtësisë.

Në akademinë përkujtimore të kësaj masakre e pranishme ishte edhe bashkëshortja e ish-presidentit, Hashim Thaçi, Lumnie Thaçi bashkë me djalin,  Endritin. Po ashtu, pjesëmarrës ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. 24 vjet më parë në Studime të Vushtrrisë forcat kriminale serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm, të cilët u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri, dhe këta 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve. /B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025