Martin Luther King: Fakte befasuese rreth ikonës së të drejtave civile
Lexohet për: 6 min.
unseen-histories-bTF3gkd2L28-unsplash-1024x812-1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ndërsa Amerika po nderon trashëgiminë e Martin Luther King Jr, ekspertët thonë se lufta e tij kundër varfërisë dhe pabarazisë është ende po aq e rëndësishme sa ishte edhe gjatë lëvizjes amerikane për të drejtat civile.

Fjalimi “Unë kam një ëndërr” ishte i improvizuar

Në gjysmë të fjalimit të tij në 1963, këngëtarja e ungjillit Mahalia Jackson bërtiti, “Thuaju atyre për ëndrrën, Martin!”

Thirrja e nxiti Martin Luther King, Jr. t’i drejtohej një predikimi të mëparshëm që ai kishte mbajtur, ku ai përshkroi një version të ëndrrës amerikane që ishte i barabartë dhe i arritshëm për të gjithë qytetarët.

“Unë kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre. Unë kam një ëndërr sot,” tha Martin Luther King.

Ky moment, më vonë do të bëhej i njohur si fjalimi “Unë kam një ëndërr”.

“Dhe ka ende punë për të bërë për të përmbushur me të vërtetë ëndrrën e Martin Luther King për barazi”, tha Lerone Martin.

“Ëndrra e tij për barazinë është kryesisht amerikane”, tha Lerone Martin, drejtoreshë e Institutit të Kërkimit dhe Edukimit, Martin Luther King Jr, në Universitetin Stanford.

Pavarësisht gjithë përçmimeve që duroi, ai bëri një punë të mrekullueshme duke u përpjekur vazhdimisht të tregonte se si përpjekjet e tij ishin në përputhje me idealet amerikane.

Emri i tij i lindjes ishte Michael King

Ai lindi më 15 janar 1929, dhe mori emrin e babait të tij, Michael King. Por, gjashtë vjet më vonë, babai i tij vizitoi Gjermaninë dhe mësoi për Martin Luther, udhëheqësin e reformimit protestant.

Thuhej se ai ishte aq i frymëzuar sa u kthye në shtëpi dhe ndryshoi zyrtarisht emrin e tij dhe të djalit të tij të madh në Martin Luther King.

King vendosi në kolegj të bëhej predikues

Në vitin 1944, Martin Luther King, Jr u pranua në Kolegjin Morehouse në moshën 15-vjeçare. Brezat e familjes King ishin diplomuar nga kolegji prestigjioz historikisht për njerëzit me ngjyrë, kryesisht meshkuj, në Atlanta, Georgia.

Sipas Institutit King, udhëheqësi i ardhshëm i të drejtave civile thuhej se kishte qenë një student “i zakonshëm”, por gjatë shkollimit të tij në Morehouse u zgjua pasioni i tij për barazinë sociale dhe politike duke e frymëzuar atë të bëhej predikues.

Ai u arrestua më shumë se 25 herë

“Në 13 vitet e tij si udhëheqës i të drejtave civile, King u arrestua 30 herë, kryesisht për shkelje te ligjeve dhe shkelje të protestave civile”, sipas King Center.

Ai u arrestua në tetor 1960 pas një proteste në një dyqan në Atlanta dhe u mbajt në burgun shtetëror të Xhorxhias. Ai i shkroi bashkëshortes së tij, Coretta, nga burgu duke thënë se shpresonte se “vuajtjet e tepërta që po i vinin tani familjes së tij do të shërbenin në një farë mënyre për ta bërë Atlantën një qytet më të mirë, Gjeorgjinë një shtet më të mirë, dhe Amerikën një vend më të mirë”.

Ai shkroi pesë libra

Sipas Qendrës King, ai shkroi pesë libra gjatë jetës së tij dhe botoi koleksione të shumta të letrave dhe predikimeve të tij.

Libri i tij i vitit 1964, “Pse nuk mund të presim”, rrëfente ngjarjet që çuan në fushatën historike të Birminghamit, Alabama, për t’i dhënë fund dallimeve.

Ai ishte një “Trekkie” (një fans i serialit televiziv fantastiko-shkencor “Star Trek”)

Nichelle Nichols, e njohur si Lt Nyota Ohura, në “Star Trek”, u prezantua me fansin e saj më të madh, Martin Luther King, Jr.

Nichols kishte dhënë dorëheqjen nga roli i saj në “Star” Trek,  disa ditë më parë. Ata u takuan në një ceremoni çmimesh. Por, kur ajo e informoi King se kishte në plan të largohej nga seriali, ajo i tha Fondacionit të Akademisë së Televizionit se King ishte i bindur se ajo nuk mund ta braktiste rolin e saj ikonik.

Ai i mbijetoi atentateve

Në shtator të vitit 1958, një grua me sëmundje mendore iu afrua King teksa ai nënshkruante kopjet e librit të tij më të fundit, “Hapi drejt lirisë”, në Harlem. Gruaja, pasi verifikoi se ai ishte vërtet Martin Luther King, e goditi me një teh.

Pasi mësoi se gruaja ishte me sëmundje mendore, King tha: “Unë nuk mbaj asnjë inat kundrejt saj”, dhe në vend të kësaj ai bëri thirrje që ajo të merrte trajtimin e duhur.

Nëna e King, Alberta gjithashtu u vra

Më 30 qershor 1974, gjashtë vjet pas vrasjes së King, një i ri 23-vjeçar qëlloi dhe vrau nënën e King, Alberta Williams King ndërsa ajo po luante në organo gjatë një shërbimi në Kishën Baptiste Ebenezer.

Familja King pagoi për lindjen e Julia Roberts

Në një intervistë me Gayle King që u bë virale së fundmi, aktorja Julia Roberts konfirmoi një fakt pak të njohur për ditën e saj të lindjes.

“Familja King pagoi faturat e mia në spital”, tha ajo, duke shtuar se familjet Roberts dhe King u bënë të afërta sepse prindërit e saj mirëpritën fëmijët e King në shkollën e tyre të aktrimit në Atlanta.

Kur unë linda dhe familja ime nuk mund të përballonte faturat e spitalit, King dhe bashkëshortja e tij, Coretta, na ndihmuan financiarisht”, tha Roberts.

Ai ishte vetëm 39 vjeç kur u vra

King ishte vetëm 39 vjeç kur u vra më 4 prill 1968. Për më pak se 13 vjet në sytë e publikut ai bëri fushatë për të drejtat civile dhe barazinë racore.

Por, sipas King Center, në një kohë shumë të shkurtër, Martin Luther King, Jr. ishte në gjendje të sillte më shumë progres drejt barazisë racore në SHBA, krahasuar me 350 vitet e mëparshme. /atsh

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024