Britania e Madhe dhe India do të nënshkruajnë një marrëveshje të tregtisë së lirë të enjten, gjatë një vizite të kryeministrit indian Narendra Modi, e cila do të ulë tarifat për importet e produkteve nga tekstilet te uiski dhe makinat dhe do t'u japë kompanive qasje më të madhe në treg.
Të dy vendet do ta nënshkruajnë marrëveshjen në një kohë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po nis luftëra tarifore me vendet e tjera, raporton KosovaPress.
Nënshkrimi i marrëveshjes është planifikuar të jetë pjesë e vizitës së katërt të Modit në Londër që kur mori detyrën si kryeministër në vitin 2014. Të dy kryeministrat do të nënshkruajnë gjithashtu një partneritet strategjik që mbulon mbrojtjen, ndryshimet klimatike dhe luftën kundër krimit.
Sa i përket marrëveshjes tregtare, tarifat për uiskin skocez do të bien nga 150 në 75 për qind dhe më pas në 40 për qind gjatë dhjetë viteve të ardhshme, tha qeveria britanike. Tarifat doganore për makinat do të ulen nga 100 për qind në vetëm 10 për qind.
Ata vënë në dukje se 99 për qind e eksporteve të Indisë do të përfitojnë nga tarifat zero, përfshirë tekstilet.
Kompanitë britanike do të jenë në gjendje të hyjnë në tregun indian të prokurimit për projekte në sektorë të tillë si energjia e pastër dhe sektorët e shërbimeve si sigurimet.
Marrëveshja tregtare gjithashtu ra dakord që punëtorët nuk duhet të paguajnë më kontribute si për Britaninë e Madhe ashtu edhe për Indinë, ndërsa janë të punësuar përkohësisht në vendin tjetër.