Një ditë pas qëndrimit në Kosovë të emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, partitë opozitare kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të jetë e kujdesshme në raport me dialogun me Serbinë, pasi sipas tyre çfarëdo marrëveshje pa njohjen reciproke do të linte sërish çështje të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, në partinë në pushtet e shohin si pozitive idetë e reja për dinamizmin e procesit të dialogut, mirëpo nënvizojnë rëndësinë e njohjes reciproke.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë për KosovaPress se mirëpresin përkushtimin e madh ndërkombëtar për të arritur marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.
“Shihet një dinamikë dhe një përkushtim më i madh për t’u arritur një marrëveshje finale. Qëndrimi jonë është shumë i thjesht në këtë temë. Një marrëveshje finale e cila është ligjërisht e obligueshme dhe e cila e ka njohjen reciproke thelbin e marrëveshjes është qëndrimi i AAK-së...Ne duhet të fokusohemi që të mbrojmë dhe të ecim përpara me vendimet që i kemi marrë deri më tani, çfarëdo vendimi tjetër është kthim prapa”, thotë ai për KosovaPress.
Nevojën për njohje reciproke në marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve e potencon edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
“Ajo çka unë si deputet pres është se marrëveshja finale të jetë njohja reciproke, pasi çdo marrëveshje tjetër do të linte prapë shumë çështje për t’u diskutuar. Nëse kemi një marrëveshje pa e njohur njëri-tjetrin çështjet kryesore do të mbeten pa u zgjidhur”, deklaron Qalaj.
Më kritike për procesin e dialogut është deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi. Ajo për KosovaPress thotë se Qeveria Kurti është pa strategji dhe transparencë për dialogun, derisa edhe tregon tri parimet kryesore që LDK-ja ka adresuar për këtë proces.
Nga ana tjetër, deputeti i LVV-së, njëherësh, kryetar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Haki Abazi, thotë për KosovaPress se nuk ka moment më të volitshëm për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.
Mirëpo ai është skeptik se Serbia do të pranojë ndonjë propozim konkret për marrëveshjen me Kosovën.
Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë qëndrimit në Kosovë tha se mbështesin propozimin franko-gjerman për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, madje tha se arritja e kësaj ujdie është çështje javësh.
Siç është raportuar në medie në Kosovë, propozimi franko-gjerman, në momentin aktual nuk përfshinë njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, e njëjta vetëm do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike, po ashtu edhe një përafrim të Serbisë në rrugën evropiane. Ndërsa në momentin e anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian do të kushtëzohet njohja e ndërsjellët.