Maqedonia është goditur nga “murtaja e bardhë” dhe po shkon drejt bankrotimit. Kështu thonë ekspertë në vend, duke komentuar shifrat të cilat flasin se vendi ka më shumë qytetarë që marrin para nga shteti sesa ata që e mbushin arkën e shtetit.
Profesori universitar Borçe Davitkovski, vlerëson se më shumë se një miliardë euro nga buxhet i shtetit shkon për paga, pensione dhe ndihma sociale. Për këtë arsye, shton ai, nevojiten reforma urgjente, pasi forca punëtore në sektorin real është shumë e vogël në krahasim ne numrin e duhur.
Shifrat e fundit të Entit të Statistikave tregojnë se në Maqedoninë Veriore ka 609 520 të punësuar aktivë. Prej këtyre 477 132 persona punojnë në bizneset private, ndërsa 132 088 punojnë në administratë shtetërore, të cilët paguhen nga buxheti i shtetit dhe tatimet e qytetarëve.
Nga buxheti i shtetit paguhen edhe 338 359 pensionistë, dhe rreth 36 496 familje të cilët marrin ndihma sociale të garantuara.
Kjo situatë, sipas profesorit Davitkovski, kërkon reforma urgjente.
“Andaj thash se buxheti është i rënduar për pagat e këtyre njerëzve, andaj duhet urgjentisht të bëhen reforma… tani në mënyrë strikte të bëhet, që ta lehtësojmë buxhetin… ose do të hymë në hua, do marrim para e do të bëhemi si Greqia, do të hyjmë në borxh, nuk do të mund t’i kthejmë paratë dhe atëherë të gjithëve në sektorin publik do u ulen pagat dhe pensionet, do të ketë trazira sociale dhe do të shndërrohemi na shtet të bankrotuar”, shtoi ai.