Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka formuar një shtab për kriza për evakuimin e qytetarëve të saj nga Lindja e Mesme nëse ka nevojë. Vendimi është marrë pas sulmit iranian ndaj Izraelit me dronë dhe raketa, në orët e para të 14 prillit. Izraeli ka thënë se bashkë me aleatët i ka rrëzuar shumicën e dronëve dhe raketave. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, deklaroi sot se evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të varet nga puna e aeroportit në Tel Aviv, i cili u rihap në mëngjes. Rruga e dytë e mundshme për evakuim është përmes Jordanisë.
Në shtabin e krizës janë të njëjtët anëtarë që ishin në shtabin në tetor të vitit të kaluar për evakuim të shtetasve maqedonas nga Izraeli, pas sulmeve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – në tokën izraelite, më 7 tetor. Osmani shtoi se në Izrael janë 40 deri në 50 qytetarë, mes të cilëve edhe familjarët e personelit diplomatik në Tel Aviv. “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Izrael që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Tel Aviv, ndërsa në dispozicion janë edhe telefonat e shërbimit të MPJ-së në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.