Parlamenti i Maqedonisë së Veriut nisi sot debatin lidhur me kabinetin e propozuar qeveritar nga mandatari Hristian Mickovski.
Mickovski, gjatë fjalës para ligjvënësve theksoi projektet për rritjen ekonomike të vendit, përfshirë investimet e huaja. Ai njoftoi uljen e taksave, rritjen e pensioneve, uljen e shkallës së papunësisë si dhe rritjen e pagave me 7 për qind.
Ndërkohë, sa i takon kandidatëve për ministra, ai tha ata do të jenë vazhdimisht “nën vëzhgim dhe vlerësim” dhe se nga ata kërkohen rezultate të shpejta dhe projekte.
Opozita e drejtuar nga Lidhja Socialdemokrate tha se nuk pret një qeveri përparimtare, por përkundrazi një pushtet që rrezikon të krijojë probleme me vendet fqinje.
Qeveria do të ketë 24 anëtarë, përfshirë kryeministrin. VMRO DPMNE do të drejtojë 15 ministri, koalicioni i partive shqiptare VLEN 6 dhe partia Znam dy ministri.
Debati në parlament do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa votimi pritet të bëhet para mesnate. Shumica e parlamentare i ka votat e nevojshme për miratimin e kabinetit qeveritar. /Voa