Maqedonci: Veriu nën qeverisjen tonë radhitet shqetësim i fundit i qytetarëve
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të panelit për politika të mbrojtjes dhe sigurisë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ka diskutuar mbi zhvillimet në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Maqedonci ka theksuar se veriu, nën mandatin qeverisës së LVV-së, renditet ndër shqetësimet e fundit të qytetarëve. Ai ka theksuar po ashtu se nga 2021 e deri më 2023 kanë shpenzuar 238 milionë euro për blerje të sistemit të armatimit për FSK-në.
“Shqetësimi i parë i të gjithë qytetarëve, ka qenë veriu i vendit tonë dhe fatmirësisht, me drejtimin e kësaj qeverie, ky shqetësim po zvogëlohet dhe po del në listë, si shqetësim i fundit i qytetarëve të vendit tonë. Kemi qenë kampion në blerje të shumë sistemeve para të gjithëve dhe kjo ka ardhur normalisht si rezultat i trefishimit të buxhetit, që kemi pasur për ministrinë e mbrojtjes këto tre vitet e fundit. Prej vitit 2018 deri në vitin 2020 janë shpenzuar më pak se 4 milionë për blerje të armatimit, kurse vetëm nga viti 2021 deri në vitin 2023 janë shpenzuar 238 milionë të blerjeve të sistemit të armatimit”, ka thënë Maqedonci.
Maqedonci ka bërë të ditur se Ministria e Mbrojtjes do të rekrutojë deri në fund të mandatit qeverisës mbi 2 mijë e 200 ushtarakë shtesë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.