Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në Ministerialin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor (WB) në Budapest të Hungarisë. Me këtë rast, ministri Maqedonci theksoi faktin që përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, vazhdojnë të jenë të lirë dhe të pandëshkuar.
Në adresimin e tij, ministri Maqedonci ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa informoi të pranishmit për kontributin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës. Ministri Maqedonci rikonfirmoi orientimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe kërkoi përkrahjen e vendeve pjesëmarrëse për realizimin e aspiratave të vendit tonë.