Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mohon raportimet se ka deklaruar bashkëngjitjen e Bullgarisë në marrëveshjen e mbrojtjes së Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë. Derisa potencon se nuk ka pasur kontakte me këtë shtet, Maqedonci thekson se ka cituar ministrin kroat sa i përket kësaj çështjeje, raporton KosovaPress.
“Kemi një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka diskutuar më herët me ministrin kroat për mundësinë që t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale…”, kështu raportohet të ketë thënë Maqedonci në një intervistë për TRT Balkan në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalyas, transmeton KosovaPress.
Ndërsa, në një intervistë për KosovaPress, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se më 18 mars, në ditën kur u nënshkrua marrëveshja trilaterale, kryeministri kroat ka përmendur mundësinë që shteti bullgar t’i bashkohet kësaj aleance ushtarake.
Ndërkaq, për një gjë të tillë ka reaguar ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Georg Georgiev, duke thënë se informacionet që thonë se Bullgaria ka shprehur interesim jozyrtar për Deklaratën mbi Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes midis Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë janë të pasakta, raporton Agjencia e lajmeve bullgare BTA.
Ndryshe, një muaj më parë, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën trilaterale për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Nënshkrimi u bë në Tiranë nga ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ai i Kosovës Ejup Maqedonci dhe ministri nga Kroacia, Ivan Anushiq.
“Serbia vazhdon t’i mbështesë grupet terroriste që cenojnë sigurinë e vendit tonë”
Ai thotë se Serbia vazhdon të jetë burimi i jostabilitetit dhe cenimit të sigurisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor.
Maqedonci potencon se Serbia po promovon politikën hegjemoniste në raport me fqinjët që kufizohet, përshirë edhe Kosovën.
Para pak ditësh, kryeministri i ri i Serbisë, Gjuro Matsut, derisa lexoi programin e tij qeverisës në parlament, ka thënë se një nga sfidat më të mëdha të qeverisë së re do të jetë e ashtuquajtura mbrojtje e sovranitetit dhe integritetit territorial në Kosovë.
Sipas tij, paqja në Kosovë është e pamundur pa drejtësi, teksa pretendoi se do të pranojë që dialogu në mes të dy shteteve të zhvillohet i hapur, me ndershmëri dhe pa presion./Z.Zeneli