Maqedonci: Avancimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, hap i madh për sigurinë
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka mirëpritur vendimin e sotëm të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues parlamentar në anëtar të asociuar, duke thënë se ky është një hap i madh përpara për sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit. Ai në një postim në Facebook ka përkujtuar edhe 25-vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve serbe, duke thënë se marsi i vitit 1999 shënoi një momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri e shtet të pavarur.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, Kosovës i avancohet statusi në nivelin e anëtarit të asociuar • KosovaPress

“Sot me këtë vendim të NATO-s jemi edhe një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit tonë si shtet i pacenuar e për Ballkan stabil. Intervenimi i NATO-s i 24 marsit të vitit 1999 nuk kishte si të mos ndodhte pasi ishte e vetmja formë që do të mund t'i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me forcë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit si veprim në mbështetje të vlerave të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë,” ka shkruar Maqedonci.

Ai ka përkujtuar se Serbia edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës nuk kërkon falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, duke lënë ekzekutorët e krimeve serbe të lirë, pasi që në Beograd vazhdon të mbretërojë një mendësi e njëjtë me atë të kohës së kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. “Nuk mund të kthejmë në jetë viktimat, të vrarët e masakrave, por i jemi mirënjohës përjetë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe NATO-s që bën të mundur që ne sot të jetojmë në shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës,” ka përfunduar ministri Maqedonci.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024