Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka në gatishmëri njësitet e saja për çdo kërcënim dhe rrezik që paraqitet në vend. Ai në një intervistë për Anadolu, ka folur për tensionet e fundit me Serbinë, procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, planet për hyrjen në NATO, ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe marrëdhëniet ushtarake Kosovë-Turqi. Maqedonci tha se vendosja e shumë njësive ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën paraqet rrezik, derisa theksoi se ushtria dhe xhandarmëria serbe kanë 48 baza operative në afërsi të kufirit.
“Duke i shtuar kësaj militarizimin e ushtrisë dhe Serbisë në përgjithësi, ku vlen të theksohet blerja e sistemeve të ndryshme të armatimit nga Kina, Rusia, madje edhe Irani, e shohim këtë si një kërcënim të vazhdueshëm të sigurisë në Republikën e Kosovës por edhe në vendet e tjera përreth”, theksoi Maqedonci. Sipas tij, këto zhvillime bazohen në politikën hegjemoniste dhe agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës dhe fqinjëve të tjerë. “Kjo gjë thuhet haptas. Kemi pasur deklaratat e fundit të presidentit Vuçiq se Serbia pret një moment të favorshëm për të marrë veprime ushtarake kundër Kosovës, por kjo na jep të dimë se duhet t’i zhvillojmë kapacitetet tona dhe të ndërtojmë ushtrinë tonë jo vetëm për të përballuar këtë kërcënim, por edhe për t’u ballafaquar me kërcënime të tjera që cenojnë sigurinë dhe territorin e vendit tonë”, tha ai.
“Blerjet e armatimit janë të drejtuara në vendet e NATO-s, ne nuk blejmë nga asnjë vend që nuk është pjesë e NATO-s. Kryesisht jemi fokusuar të bëjmë blerje nga vendet me të cilat kemi partneritet më të afërt, si SHBA, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”, tha ai. Maqedonci ka bërë të ditur se nga viti 2021 deri në vitin 2023 kanë ndarë mbi 200 milionë euro për blerjen e armëve dhe pajisjeve të ndryshme në kuadër të transformimit të FSK-së në ushtri. Ministri Maqedonci deklaroi se janë gjithmonë të gatshëm të mbështesin “luftën e drejtë për liri” të Ukrainës.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, tha Maqedonci.
Duke folur për dronët “Bayraktar TB2”, që Kosova i bleu nga Turqia gjatë vitit të kaluar, Maqedonci theksoi se proceset e testimit dhe trajnimit me to janë duke vazhduar. Duke deklaruar se në inventarin e FSK-së kanë produkte turke si raketa kundërtank “Omtas” dhe automjete “Vuran” me sistem të integruar të armatimit të mortajave 120 milimetër, Maqedonci shtoi gjithashtu se do të blejnë nga SHBA-ja raketa kundërtank “Javelin”, për të cilat procesi ende po vazhdon. FSK-ja, e cila u themelua në vitin 2009, filloi procesin e transformimit në ushtri me ndryshime ligjore nga viti 2018, process ky I cili pritet të zgjasë 10 vjet.