Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka deklaruar se pas vendimit për t'ia ndaluar hyrjen në Kosovë kryetarit të Komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, dhe kryetares së Kuvendit Komunal të Beranës, Vidi Ivanoviq, qëndron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas një njoftimi të partisë Nova Srpska Demokratija (NSD), të cilën e udhëheq Mandiq, ai tha se edhe deputetët e partive shqiptare në Mal të Zi e kanë kuptuar se "dikush dëshiron të prishë marrëdhëniet ndërmjet politikanëve serbë dhe shqiptarë në Mal të Zi".
Ai shtoi se synimi i përbashkët i shumicës parlamentare dhe përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme kombëtare është anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ekzistojnë aktorë që, sipas tij, dëshirojnë ta pengojnë këtë proces.

"Dyert e këtij shteti duhet të jenë të hapura dhe ne të jemi mikpritës të mirë", deklaroi Mandiq, duke shtuar se Mali i Zi duhet të përcjellë mesazhe lirie, pajtimi dhe bashkëpunimi, si brenda vendit ashtu edhe në rajon.
KosovaPress ka pyetur te zyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti nëse kanë ndonjë koment për atë që ka thënë Mandiq. Përgjigja eventuale do të publikohet kurdo që ajo të kthehet. /KosovaPress/