Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi ka pritur sot në një takim gjeneratën e artë të futbollistëve kosovarë, të cilët kanë kontribuar për futbollin tonë veçanërisht në periudhën e ish-Jugosllavisë.
Gjenerata e artë e futbollistëve tanë shfrytëzuan rastin që ta falënderojnë presidentin Ademi për punën që e ka bërë deri tani, duke e transformuar futbollin kosovar dhe duke ndikuar në zhvillimin e shpejt të sportit më masiv në vend, me krijimin e kampeve me kushte tejet komode, përcjell KosovaPress.
Erdogan Celina në fjalimin e tij tha se është i lumtur që edhe këto ditë vazhdon të jetë pjesë e futbollit, i cili po zhvillohet shpejt dhe drejt falë udhëheqjes së mirë nga presidenti Ademi, ndërkaq Edmond Rugova shfrytëzoi rastin që të tregojë se Ademi është i vetmi që asnjëherë nuk i la të ndihen të neglizhuar.
Përkrahje presidentit të FFK-së i dha edhe Abdyl Bellopoja, i cili u shpreh i lumtur që Ademi është i gatshëm të vazhdojë edhe për një mandat tjetër në krye të FFK-së, duke e konsideruar si personin më adekuat për të drejtuar shtëpinë e futbollit.