Manchester United ka bërë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të stadiumit të ri gjigant me 100,000 ulëse, i cili pritet të zëvendësojë "Old Trafford"-in historik.
Drejtoresha e zhvillimit të stadiumit, Collette Roche, konfirmoi për Daily Mail Sport se projekti prej 2 miliardë funtesh është në rrugën e duhur dhe synon të jetë gati për të pritur finalen e Botërorit të femrave në vitin 2035.
Përveç kapacitetit masiv, fokusi kryesor i "Djajve të Kuq" mbetet sigurimi i tokës shtesë rreth stadiumit aktual dhe tërheqja e investimeve private për realizimin e asaj që po cilësohet si "Wembley i Veriut".
Roche zbuloi se bisedimet për blerjen e terminalit të mallrave pas stadiumit po përparojnë mirë dhe një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh. Qëllimi është krijimi i një arene moderne që ruan atmosferën frikësuese për kundërshtarët, por që ofron kushte të nivelit botëror për ngjarje të mëdha ndërkombëtare dhe argëtuese, duke transformuar të gjithë zonën e Trafford-it.