Arrin në Pejë ekspozita fotografike “Italian Routes - Rrugët italiane, malet, alpinizmi, ndryshimet klimatike”, konceptuar dhe kuruar nga fotografi i peizazhit Fabiano Ventura dhe promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar e Italisë në bashkëpunim me Ambasadën Italisë në Prishtinë dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë.
Hapjen e ekspozitës e bëri ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu në prani të kryetarit të Pejës Gazmend Muhaxheri.
De Riu tha se kjo ekspozitë tashmë ka shtegtuar në Vietnam, Kore, Zvicër, Gjeorgji dhe po ashtu është duke u zhvilluar edhe në Shqipëri. Përmes kësaj ekspozite, ai tha se dëshirojnë të transmetojnë te publiku mesazhin e një kulture jashtëzakonisht të madhe italiane sa i përket bjeshkatarisë dhe alpinizmit.
"Kjo mostër ka shtegtuar në Vietnam, Kore, Zvicër, Gjeorgji dhe njëkohësisht është duke u zhvilluar po ashtu edhe në Shqipëri. Përmes kësaj mostre ne dëshirojmë të transmetojmë mesazhin, të komunikojmë te publiku mesazhin e një kulture jashtëzakonisht të madhe italiane sa i përket bjeshkatarisë dhe alpinizmit. Kjo është si një instrument, si një mjet që ta njohim terrenin e bjeshkëve. Është një riprodhim i pamjeve që janë të marra edhe në kohët e mëhershme dhe si krahasues me kohën e tashme se si duken këto male në kohët e sotme. Kjo është për të vënë në pah masivet e akullnajave të maleve që i kemi në kohërat tash", theksoi De Riu."Zgjedhja e qytetit të Pejës nuk ka qenë aspak e rastësishme. Ne në Pejë zhvillojmë një projekt të koperacionit italian që quhet "NatureKosovo", zhvillohet me shumë akterë në fushë, si shoqata e alpinistëve italianë, si dhe organizatat tjera jo qeveritare. Kjo është për t'i dhënë më shumë vlerë vendeve historike dhe kulturore ndër qyteteve më të bukura që ka Kosova. Po ashtu përmes kësaj ekspozite ne dëshirojmë që të stimulojmë edhe një formë të edukimit për kulturën e respektimit të zonave malore, dhe në një formë të transmetojmë këtë mësim të te tjerët, sepse duke ruajtur natyrën mund të kthehet edhe si shpërblim ekonomik pikërisht sepse është kursyer natyra", shtoi De Riu.
Ndërsa, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, si shenjë falënderimi ka ndarë mirënjohje për Ambasadorin Italian dhe bashkëpunëtorët e tij që po zhvillojnë alpinizmin në bjeshkët e Pejës.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se presin t'i shohin ndryshimet klimatike si kanë ndikuar në Alpet Italiane dhe të shërbejnë edhe në Komunën e Pejës si ka ndryshuar përgjatë viteve.
Pjesa qendrore e ekspozitës, “Malet italiane”, është një udhëtim ideal që nga grupi Gran Paradiso përshkon të gjithë harkun alpin nga perëndimi në lindje, duke përshkuar masivët e Mont Blanc, Monte Rosa dhe Cervino, Bernina, Ortles- Cevedale, Adamello, më pas duke lëvizur në zonën lindore drejt Dolomiteve dhe Alpeve Juliane. Rruga italiane përfundon me një fazë të nëntë kushtuar grupit kryesor malor Apenin, atë të Gran Sasso. Secili prej grupeve malore përfaqësohet nga fotografi me format të madh që lartësojnë aspektet sugjestive të peizazhit dhe nga imazhe historike dhe bashkëkohore që nxjerrin në pah evolucionin e masave akullnajore, duke theksuar efektet e ndryshimeve klimatike në peizazhin malor. Secili grup shoqërohet nga një panel prezantues i cili ilustron karakteristikat e tij gjeografike, historike dhe gjeo-glaciologjike, të cilave iu shtohet edhe propozimi për itinerarin e vizitës.
Një pjesë e ekspozitës prezantohet njëkohësisht në Tiranë, Shqipëri, në ambientet e Hapësirës Ekspozuese Harabel (rr. “Ibrahim Rugova”), në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Për skenën e Tiranës është përgatitur një ekspozitë kushtuar maleve shqiptare, alpinistit dhe fotografit të njohur Fation Plaku.