Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa pranuar edhe sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare.
Kështu u tha në një pritje të organizuar sonte nga Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë në prag të shënimit të 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në të cilën morën pjesë krerë të shtetit të Kosovës, ministra, deputetë dhe të ftuar të tjerë.
Diplomati shqiptar përkujtoi se 28 Nëntori nuk është vetëm një datë e thjeshtë në kalendar, por një fener i identitetit kombëtar dhe një dëshmi e guximit të popullit shqiptar për të realizuar një Shqipëri të pavarur.
“Pikërisht në nëntor të vitit 1912, Ismail Qemajli ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet të pavarur e sovran, duke ndezur një flakë lirie, e cila shndrin edhe sot. Ishte një ëndërr e përbashkët dhe një zgjim kombëtar për të gjithë neve shqiptarët...Ata nuk luftuan vetëm për integritetin territorial të shtetit të pavarur shqiptar, por edhe për idealet që na përcaktojnë: lirinë, sovranitetin dhe të drejtën për të ndërtuar fatin tonë... Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa pranuar edhe sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare”, tha Malaj.
Ajo theksoi se sot Shqipëria është vend demokratik që promovon vlerat e lirisë dhe të drejtat njerëzore, dhe është e vendosur në rrugën e integrimit evropian, si dhe po kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kryeministri Albin Kurti ka uruar për 111-vjetorin e shpalljes së shtetit shqiptar, duke thënë se 28 Nëntori është ditë e flamurit dhe bashkimit e pavarësisë së shtetit dhe fitores së popullit shqiptar.
Ndryshe, më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar.
Kurti: Vetëm të lidhur rreth Lidhjes së Prizrenit, avancojmë interesat tona me aleatët - KosovaPress