Macron e Zelensky dakordohen për detajet e konferencës së mbështetjes për Ukrainën
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Emmanuel Macron ka diskutuar në telefon me Volodymyr Zelensky për t'u përgatitur për konferencën e re në mbështetje të Ukrainës, e cila do të mbahet pasnesër në Paris, njoftuan zyrat e dy presidentëve.

"Ne kemi përgatitur konferenca me presidentin Zelensky, të cilat do të priten nga Franca të martën. Konferenca e parë ndërkombëtare do të diskutojë mënyrat për t'u mundësuar ukrainasve të mbijetojnë dimrin, dhe në të dytën do të marrin pjesë përfaqësues të kompanive franceze të përfshira në rindërtimin e vend”, shkroi Macron në Twitter.

"Ne harmonizuam pozicionet përpara samitit virtual të anëtarëve të G7 dhe konferencës mbështetëse në Paris. Diskutuam zbatimin e planit tonë prej dhjetë pikash për paqen, për bashkëpunimin e mbrojtjes dhe për stabilitetin energjetik," shkroi presidenti ukrainas në Twitter.

Të martën, Zelensky do të marrë pjesë në konferencën për rindërtimin e Ukrainës me video lidhje, por kryeministri ukrainas do të marrë pjesë fizikisht në Paris. Sipas Pallatit Elysee, në konferencë do të marrin pjesë "krerë shtetesh, qeverish dhe ministrash" nga 47 vende, si dhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres.

Konferenca po mbahet pasi Macron theksoi në fillim të dhjetorit se Rusisë duhet t'i jepen "garanci" se, pas përfundimit të luftës në Ukrainë, do të gjendet një ekuilibër.

Disa zyrtarë ukrainas dhe të Evropës Lindore reaguan me zemërim ndaj kësaj, dhe disa e kundërshtuan hapur deklaratën, por Pallati Elysee përjashtoi ekzistencën e ndonjë tensioni dypalësh.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të premten se përfundimisht do të duhej të arrihet një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, por gjithashtu shprehu dyshime nëse Moska mund t'i besojë palës tjetër.

Zelensky i ofroi Putin-it një plan paqeje prej 10 pikash në mes të nëntorit, nga integriteti territorial deri te fati i të burgosurve, duke përfshirë sigurinë ushqimore.

Në fillim të dhjetorit, Macron njoftoi një bisedë të afërt me Putin, veçanërisht për çështjet e sigurisë që lidhen me përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime civile në Ukrainë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024