LVV propozon inicimin e projektligjit për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë
Lexohet për: 3 min.
Seanca Plenare 300622 (12 of 24)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar inicimin e projektligjit për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë. Shefja e deputetëve të shumicës, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që ky projektligj të draftohet e miratohet me procedurë të përshpejtuar.

Organi më i lartë legjislativ po mban debat parlamentar për masat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar qytetarët të përballen me rritjen e çmimeve në produktet esenciale.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, ka prezantuar propozimin e kësaj partie.

“Grupi ynë parlamentar propozon që të iniciohet projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë, ato të cilat janë të përcaktuara edhe me ligjin e TVSh-së dhe që janë me normën 8 për qind. Në këtë listë të produkteve hyjnë drithërat, kripa, sheqeri, qumështi dhe produktet e qumështit, vaji për ushqim, vezët si dhe disa produkte të tjera bazike. Është e nevojshme draftimi dhe miratimi me procedurë të shpejtuar për të sanuar efektet e rritjes së çmimeve dhe për të vendosur një kontroll tek ata të cilët në situatë krize shfrytëzojnë mundësitë për të përfituar jashtë normave dhe etikës biznesore”, ka deklaruar shefja e deputetëve të LVV-së.

Më tej, ajo ka shtuar se çmimet janë rritur si pasojë e luftës në Ukrainë.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në debatin në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se çmimet janë rritur si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Përgjatë kësaj kohe, Qeveria Kurti nuk ka rritur asnjë taksë direkt apo indirekt. Rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e ndikimeve nga jashtë. Ndërsa për të lehtësuar jetën e qytetarëve qeveria ka miratuar një udhëzim administrativ sipas të cilit rregullohen çmimet për produktet e naftës, duke caktuar marzhën e fitimit maksimal që mund të kenë tregtarët e këtij produkti”, ka shtuar ajo.

Gjatë këtij debati parlamentar, Kusari-Lila nuk ka përkrahur propozimin e LDK-së, ku theksoi se reduktimi i TVSh-së, ndikon në uljen e të hyrave.

“Me aplikimin e reduktimit të TVSh-së, të hyrat nga ATK, sipas propozimit tuaj, do të ndikohen menjëherë dhe rrjedhimisht do të ketë ulje dhe më pak të hyra për buxhetin e shtetit. Dhe më pak të hyra për fondet për rishpërndarje. Këto statistika dhe jo vetëm, janë treguesi më i mirë që qeveria Kurti ka kthyer besimin e taksapaguesve tek institucionet e shtetit”, ka deklaruar ajo.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila shtoi se të hyrat nga dogana për këtë vit kanë shënuar rritje për 17 për qind.

“Në periudhën janar-dhjetor kanë pasur një miliard e 376 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që kishim një miliard e 52 milionë euro. Do të thotë kemi pasur të hyra më shumë për 31 për qind. Ndërsa, gjatë vitit aktual 2022 për tremujorin e parë për periudhën 1 janar 2022-18 mars 2022, kanë qenë të hyrat prej 262 milionë apo krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak për 17 për qind më të larta”, tha ajo.

Në seancë plenare ajo ka deklaruar se pozita po bojkoton angazhimin konstruktiv në procesin e votimeve, ndërsa në sferën e propozimeve ka ide të cilat nuk kontribuojnë në përmirëism të gjendjes.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025