LVV përmes ndryshimit të ligjit synon shkarkimin e bordit të KPMM-së
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i iniciuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Të njëjtit përmes ndryshimit të disa neneve të ligjit aktual synojnë të pamundësojnë që vendimi i mundshëm i Kuvendit për shkarkim të bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale të mos sfidohet në gjykatat e rregullta dhe procesi i emërimit të bordit të ri të bllokohet.

Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se Kosova është republikë parlamentare dhe Kuvendi nxjerr akte juridike dhe jo administrative që të sfidohen në gjykatat e rregullta dhe jo Gjykata Kushtetuese.

“Kjo dispozitë është në kundërshti me konceptin e Republikës parlamentare ku Kuvendi është organi më i lartë legjislativ dhe vendimet e Kuvendit mund të kundërshtohen vetëm në organet kushtetuese. Po ashtu, sipas rregullimit aktual proceduralisht ne mund të ballafaqohemi me bllokim të institucionit të Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve në situatën kur të njëjtit nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre, por vazhdojnë të paguajnë me pagë të plotë. Kurse qeveria bllokohet të propozojë dhe kuvendi të emërojë anëtarë të bordit të në këtë institucion”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se Kuvendi duhet të shkarkojë bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Por, ka shtuar se shkarkimi i tyre përmes ndryshimit të ligjit fillimisht është i gabuar, pasi një e drejtë e fituar me një ligj nuk mund të ndryshohet në proces e sipër.

Ai ka kërkuar formimin e një komisioni hetimor në Kuvend për punën e këtij komisioni.

Atij i ka reaguar deputetja Kusari-Lila, derisa ka mohuar se bordi aktual i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale s’janë njerëz të pushtetit./KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024