LVV-ja përkujton Arben Xheladinin e Mon Balajn në 17 vjetorin e vrasjes së tyre
Lexohet për: 3 min.
423422327_921495069548277_5709106679578138549_n
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Në 17 vjetorin e vrasjes së ish-aktivistëve të Vetëvendosjes, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje bënë homazhe te pllaka përkujtimore e tyre.

Në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007, kundër Pakos së Ahtisarit, ku morën pjesë mijëra qytetarë, Xheladini e Balaj u vranë nga Policia Ndërkombëtare e UNMIK-ut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sot po i përkujtojnë me mallë, dhimbje dhe krenari Arben Xheladinin e Mon Balajn, për të cilët tha se u vranë padrejtësisht në protestën paqësore nga Policia Ndërkombëtare e UNMIK-ut, me 232 plumba gome me afat të skaduar e të keqpërdorur jashtë protokoleve të Kombeve  të Bashkuara.

Kurti potencoi se me paraqitjen e Pakos së Ahtisarit para 17 vjetësh, LVV-ja kishte kundërshtuar e kritikuar shumë koncesione monoetnike për vendin tonë, ulëset e garantuara dhe të rezervuara në Kuvendin e Kosovës me të drejtë vetoje për pakicën serbe, eksterritorialitetin me baza fetare, decentralizmin mbi baza etnike, derisa shtoi se kundërshtuan edhe pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë dhe shuarjen e trupave mbrojtëse të Kosovës.

Ai shtoi se marshi i protestuesve atë kohë u ndal përgjysmë nga forcave të shumta policore, për të cilët thotë se ajrin e sheshit e mbushën me gaz lotsjellës, ndërsa rrugën kryesore të kryeqytetit e “përgjakën me gjakun e Mon Balajt, Arben Xheladinit por edhe 80 protestuesve të tjerë që u plagosën dhe lënduan.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca tha se Mon Balajn e Arben Xheladinin i quan dëshmorë të qytetarisë dhe përpjekjes së vazhdueshme që shteti  ynë të jetë sovran dhe i kompletuar.

Ai shtoi se rënia e Mon Balajt e Arben Xheladinit pas vitit 1999 dhe rënia në krye të detyrës të Enver Zymberit e Afrim Bunjakut pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovë, tregon se po vazhdon përpjekja që Kosova të jetë shtet i dinjitetshëm dhe i kompletuar në mesin e shteteve të barabarta të gjithë botës.

Lëvizja Vetëvendosje 17 vjet më parë organizoi protestë në shenjë kundërshtimi ndaj besimeve Kosovë-Serbi dhe pakos së Martti Ahtisaari-t, në të cilën si rezultat i ndërhyrjes së policisë rumune të UNMIK-ut mbetën të vrarë, Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

Në protestë morën pjesë mijëra vetë dhe ajo eskaloi në momentin që janë hequr rrethojat e vendosura në mes të sheshit.

Ishte policia e rumune e UNMIK-ut ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse. Përveç vrasjes së dy aktivistëve, kishte edhe shumë të plagosur.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025