LVV e vendosur: Para rikthimit në dialog duhet sanksione ndaj Serbisë
Lexohet për: 2 min.
kryeziu-091023
1 vit më parë
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon sanksionimin e Serbisë para rifillimit të dialogut. Sipas partisë në pushtet, gjithçka çka është arritur në dialog, është vendosur në plan të dytë pas aktit të agresionit të Serbisë në Kosovë, më 24 shtator dhe se tani është e domosdoshme ofrimi i sigurisë për Kosovën.

Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e Komisionit për punë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress, se Serbia duhet të sanksionohet për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit.

Deputetja e mazhorancës i mirëpret edhe paralajmërimet e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon se ky institucion do të miratojë një rezolutë që dënon sulmin terrorist në veri dhe që po përgatitet një paketë masash ndaj Serbisë.

“Jam mirënjohëse raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e cila paralajmëroi që po përgatitet një rezolutë kundër veprimeve të Serbisë të 24 shtatorit. Kjo rezolutë do të jetë një mesazh i fuqishëm që shkon drejt përfaqësueseve të politikës së jashtme të BE-së dhe drejt përfaqësuesve të 27 vendeve anëtarë. Është momenti kur defenitivisht duhet të sanksionohet shteti që bënë akti të tilla terroriste”, shton ajo.

Sipas saj, në rrethanat aktuale pas sulmit terrorist nuk mund të diskutohet për zgjedhjet në katër komunat veriore apo marrëveshjen e Brukselit apo Ohrit.

Ajo është kritike edhe ndaj përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak.

Në anën tjetër, ajo duke folur për samitin e Procesit të Berlinit, që pritet të mbahet më 16 tetor në Tiranë, thotë se Kosova është për bashkëpunim rajonal.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024