Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës Jehona Lushaku Sadriu sot ka nënshkruar zotimin për të mbështetur mbrojtjen e fëmijëve, duke thënë se dëshiron të jetë zëri i tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Edhe në Kuvend do të jem zëri i tyre. Sapo e nënshkrova zotimin për të mbështetur mbrojtjen e fëmijëve sepse dua të jem zëri i tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka kërkuar nga kandidatët për deputetë që të mbështesin zotimet për mbrojtjen e fëmijëve. E mbështes pa asnjë rezervë fushatën e ‘Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF’. Me kënaqësi do të investoj në politikat për mirëqenien e fëmijëve pa dallim, duke e bërë atë çështje prioritare për Kuvendin e ardhshëm”, ka shkruar Lushaku-Sadriu në rrjetin social Facebook.