Në stadiumin e qytetit në Suharekë të mërkurën do të zhvillohet derbi i madh i futbollit kosovar ndërmjet Ballkani dhe Dritës.
Këto dy skuadra janë në luftë kokë më kokë për titullin e kampionit me Ballkanin që është lider i tabelës me 26 pikë, katër më shumë se sa Drita që është e dyta me 22 sosh.
Lumi për KosovaPress ka thënë se e sheh Ballkanin si favorit në këtë ballafaqim për shkak se skuadra nga Suhareka ka potencial më të madh në organikën e saj.
“E shoh Ballkanin si favorit në këtë ndeshje pasi ka më shumë kualitet, por edhe fond më të madh të lojtarëve. Ndërsa Drita në këtë aspekt mendoj që është në disavantazh pasi nuk ka treguar superioritet ndaj rivalëve që i ka pasur. Lojtarët e Ballkanit janë të gjithë gati dhe mezi presin që të marrin dritën jeshile për t’u futur në fushë.”, ka thënë Lumi.
“Jo, nuk mund të themi që “vritet” kampionati nëse Ballkani e fiton derbin. Pra siç e dimë, do të zhvillohet edhe një derbi mes këtyre dy skuadrave që ka mbetur pa u zhvilluar dhe aty është mundësia që të rikuperohen pikët. Kështu që ka ende shumë ndeshje dhe madje mendoj se në garë për titull edhe më tutje është Llapi që mund të jetë aty në vazhdim të kampionatit.”, theksoi Lumi.
Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Dritës do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 13:00.