Kreu i tifogrupit “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka reaguar lidhur me interesimin e madh për sigurimin e biletave për ndeshjen e Kosovë ndaj Turqisë, e cila do të zhvillohet më 31 mars 2026, me fillim nga ora 20:45, duke bërë të ditur se në sektorin e tyre nuk ka më bileta në dispozicion.
Në një postim në facebook, Berisha theksoi se të gjitha biletat janë shpërndarë për anëtarët e rregullt të tifogrupit, të cilët kanë kryer anëtarësimin vjetor. Ai kërkoi mirëkuptim nga tifozët që nuk kanë arritur të sigurojnë një vend në stadium.
“Ju lutemi që ta respektoni peshën historike të ndeshjes dhe mos lejoni që të ndryshojë përbërja e tifozëve në stadium. Për këto zhvillime, ftojmë organet e rendit që t’i hetojnë ata që po i keqpërdorin biletat në tregun e zi dhe të ndalet kjo marrëzi” – shkroi Berisha.
Ndër të tjerash “Luli” gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së organizuar të tifozëve për Kombëtaren e Kosovës në këtë përballje, duke e cilësuar ndeshjen si një moment me peshë të madhe për aspiratat drejt Kupës së Botës 2026.KosovaPress