Lufta si qëllim i ekzistencës
Lexohet për: 7 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

"Ushtari i vërtetë lufton, jo vetëm,  sepse urren atë që ka përpara, por sepse e do atë që është pas tij."  (G.K. Chesterton)

1.

Gazeta prestigjioze amerikane The Washington Post, para ca ditësh botoi një shkrim interesant per ish ministrin e financave të Afganistanit,  z. Payenda, i cili disa ditë para se talebanët të merrnin pushtetin dha dorëheqje, dhe u largua në SHBA. Njeriu që deri para shtatë muajsh udhëhiqte financat e shtetit të tij, dhe ishte përgjegjës për buxhetin prej 6 miliardë dollarë, tashmë kishte një agjendë krejtësisht tjetër, dhe gazetari e shoqëroi atë gjatë një turni të punës së tij. Me veturën Honda, duke përdorur aplikacionin Uber, ai si taksist po fillonte turnin e natës në gjetjen e klientëve, me qëllim që të fitonte para për nevojat e familjes së tij. “Nëse brenda dy ditësh do të kem 50 klientë, do të marr bonusin prej 95 dollarësh”, i tha ai gazetarit, duke vozitur rrugëve të Washingtonit. Ai kishte shpenzuar kursimet, andaj duhej të punonte për nevojat e familjes së tij.

Pothuajse dy decenie SHBA ishte angazhuar për krijimin e shtetit modern të Avganistanit, të një shoqërie të organizuar, prosperuese, demokratike dhe me të drejta të njeriut. Pas tërë kësaj mbështetjeje, SHBA u tërhoq nga Afganistani, dhe pushtetin e morën talebanët. Presidenti afgan iku jashtë vendit, siç u raportua me një sasi të madhe parash, po ashtu ministrat dhe udhëheqësit tjerë shtetërorë. Ajo në çka amerikanët kishin investuar aq gjatë, u shkërmoq me një shpejtësi të pabesueshme. Administrata shtetërore, institucionet, forcat e mbrojtjes, policia dhe ushtria. Madje, edhe armët moderne të tyre, të dhuruara nga amerikanët, nuk u përdorën, dhe u dorëzuan. Bota, thjeshtë po bënte qudi, se si ishte e mundur, që diçka në të cilën ishte investuar aq shumë, dhe aq gjatë po shkrihej aq shpejtë. Kjo e shtyri presidentin amerikan Bajden të deklaronte:

“Pra, çfarë ndodhi? Udhëheqësit politikë të Afganistanit, u dorëzuan dhe u larguan nga vendi, ndërsa afganët e dëshpëruar nxituan në aeroport për të ikur. Ne, u dhamë atyre çdo mjet, që mund t'u nevojitej. Ne, u dhamë atyre çdo mundësi, për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ajo, që ne, nuk mund t'u jepnim atyre, ishte vullneti për të luftuar, për atë të ardhme.”

Payenda, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë ndodhi, dhe kush e kishte fajin, jep një përgjigje nebuloze. “Ne nuk kishim vullnetin kolektiv për t’u reformuar, për të qenë seriozë. Me ndihmën e pranuar gjatë 20 viteve, u ndërtua një shtëpi thuajse prej letre, e cila u shkatërrua sa hap e mbyll sytë. Kjo shtëpi prej letre u ndërtua mbi themelet e korrupcionit. Disa prej nesh, në qeveri zgjodhën të vidhnin, madje, edhe kur kishim një shans të vogël, e të fundit. Ne tradhtuam popullin tone”. Mirëpo, ai fajëson edhe amerikanët për dorëzimin e vendit tek talebanët. Në fund, fajëson edhe veten.

Duke vozitur klientët e tij, ai kalon në rrugët e Washingtonit, pranë ndërtesave moderne, të mëdha, të Fondit Monetar Ndërkombëtar  dhe Bankës Botërore, ku dikur ai kishte qenë shumë herë, për t’u trajnuar dhe diskutuar për të ardhmen e vendit të tij. Por, kohët kishin ndryshuar radikalisht, atëherë ishte brenda tyre si ministër fuqiplotë, duke përfaqësuar shtetin e tij, kurse tash ishte jashtë, dhe si taksist që po transportonte udhëtarë të ndryshëm.

Kur kishte filluar punën në Ministrinë e Financave, për shkak të planifikimit të dobët, buxheti nuk mund të shpenzohej as 50%, dhe nevojat ishin aq të mëdha. Madje, edhe spitali më i mirë shtetëror i Kabulit, nuk kishte një aparat në vlerë 200 dollarë, për të ndihmuar pacientët që kishin probleme me frymëmarrjen, dhe ku e ëma e tij ishte shtruar nga pasojat e Covidit. Ishin ditët e makthit të tij, dhe ajo vdiq me Payendën pranë shtratit të saj.

Tash duke vozitur pasagjerët, Payenda acarohet  nga vendimi i Presidentit Bajden, që në kuadër të sankcioneve të SHBA, ndaj talebanëve për të lënë mënjanë 3.5 miliardë dollarë nga rezervat e ngrira prej 7 miliardë dollarësh të Bankës Qendrore Afgane, për procese gjyqësore të mundshme që përfshijnë të mbijetuarit e sulmeve të 11 shtatorit. Pjesa tjetër e parave, do të shkon për ndihmën humanitare në Afganistan. Ai e kritikon këtë vendim, duke ofruar alternativën e tij, se so do të duhej të ishte vendimi i SHBA-ve rreth kësaj. Ndërsa e komenton këtë vendim të Presidentit, ish ministri, si një taksist efikas, ndërvepron aktivisht me pasagjerët, i dërgon ata në adresat e caktuara, ua merr paratë, u kthen kusurin, dhe vazhdon kërkimin për klient tjerë. Ish ministri, duket se harron, se tashmë nuk e ka asnjë prerogativë për të diskutuar këso vendimesh. Nuk ishte as koha, as vendi e as pozita që t’ia mundësonin këtë gjë. Që të gjitha kishin ikur tashmë, edhe koha, edhe vendi edhe pozita.

Sepse, pyetjet esenciale dhe të vështira, në të cilat duhet dhënë përgjigje, nëse dëshirohet që të nxirren mësime nga pësimet janë: Pse nuk u shfrytëzua gjithë ajo ndihmë amerikane për forcimin e shtetit. Çka e shkaktoi korrupcionin marramendës, që e shkatërroi shtetin afgan? Egoizmi? Paaftësia afgane në shtetndërtim? Apo, strategjia amerikane e cila i mbështeti komandantët që kishin rezultate të mira në luftën daj talebanëve, pavarësisht se  ishin shumë të korruptuar.

Ish ministri e përfundoi turnin e natës si taksist, dhe shkoi në shtëpinë e tij në Washington. Ishte i lodhur, por edhe i lumtur,  sepse,  bashkë me bakshishet ai fitoi 150 dollarë, duke mos llogaritur shpenzimet e udhëtimit…

2.

Një rast tjetër, i njohur në gjithë botën, ndodhi tash, pas invazionit rus në Ukrainë, dhe ku spikati  udhëheqja e guximshme e Presidentit Zelensky. Refuzimi i tij për ta pranuar ofertën e Presidentit amerikan Bajden, për një largim të sigurt nga Ukraina – duke e ditur se ishte personi kryesor në listën e likudimeve  të Rusisë,   u bë me një thënie  të paharrueshme dhe emblematike të luftës: “Nuk kam nevojë për taksi. Kam nevojë për më shumë armë dhe municion”. Kjo përgjigje e tij, konsiderohet  si një nga më të njohurat në historinë e re, duke përkujtuar një situatë  nga revolucioni amerikan, para rreth 250 vitesh. Atëbotë, kur marina britanike kërkuan dorëzimin e kapitenit amerikan Paul Jones, ai u përgjigj me trimëri: “Unë, ende, as nuk ia kam filluar të luftoj”.

3.

Burrshtetasi i njohur britanik B.Disraeli ka thënë: "Asgjë nuk mund t'i rezistojë një vullneti njerëzor, që për të arritur qëllimin, rrezikon ekzistencën e tij."

Luftërat, gjatë gjithë historisë së civilizimeve të njerëzimit kanë krijuar realitete të reja.Dhe identitete të reja. Kanë krijuar shtete,  dhe kanë zhbërë të tjera. Kanë krijuar kombe dhe kanë rrëgjuar e shuar të tjera. Kanë dëshmuar katërcipërisht, se para se të krijohet fizikisht, një shtet, duhet të krijohet në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Kanë farkuar, dhe skalitur vullnetin dhe dinjitetin e të guximshmëve dhe të vendosurve. Dhe i kanë shtypur të pavendosurit, hipokritët e frikacakët. Sepse, faktori përcaktues për fitore, mbi të gjitha, është vullneti i çelniktë dhe gatishmëria për të paguar çmimin e saj. Pikërisht, sikurse, dymijë e pesë qind vite më parë, kishte thëne strategu i madh Sun Tzu: “Fitorja, është e rezervuar për ata, që janë të gatshëm, të paguajnë çmimin e saj”!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024