Protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohet lëvizja tek ish-sheshi “Shqiponja”
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Protesta e paralajmëruar nga Partia Demokratike në Shqipëri nisi mbrëmjen e sotme rreth orës 17:00.
Ashtu si edhe kishin paralajmëruar, deputetë dhe mbështetës të Partisë Demokratike u mblodhën në ish-sheshin “Shqiponja” duke paralizuar lëvizjen, ndërsa me dhjetëra forca policore janë të pranishëm për të siguruar mbarëvajtjen e protestës dhe qarkullimin e mjeteve.
Bllokime pati edhe në kthesën e Kamzës, duke pamundësuar lëvizjen normale të automjeteve, ndërsa në rrugë ka shumë qytetarë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka që drejton bllokimin e rrugës tek kthesa e Kamzës tha se “kauza e opozitës është më e drejtë për çdo qytetar që i thotë kombit komb, është kauzë për Shqipëri demokratike”.
“Jemi në mosbindje civile, vazhdojmë me akte të tjera. Ne do bëjmë gjithçka në betejën tonë. Do vazhdojmë derisa ta rrëzojmë në gjunjë regjimin”, u shpreh ai para protestuesve.
“Ne duam që të frenohet shpopullimi, që shqiptarët mos të jenë të varfër. Shqipëria ecën përpara me zgjedhje të lira”, tha Noka.
Kjo është protesta e dytë kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike si reagim pas dënimit me 1 vit burg të nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, i cili u shpall fajtor nga gjykata për “Kallëzim të rremë” lidhur me dosjen “Babalja”.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka angazhuar 1200 efektivë në të gjithë vendin për mbarëvajtjen e protestës, por edhe për të koordinuar trafikun në rast bllokimesh.ATSh