Lufta në Ukrainë: Rusia godet Ukrainën me një valë të re sulmesh ajrore
Lexohet për: 2 min.
Ukraina
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Ukraina është sulmuar sërish nga sulmet ajrore ruse, thonë zyrtarët, pas dy ditësh sulmesh të mëdha ajrore nga të dyja palët.

Shumica e sulmeve ishin të përqendruara në jug dhe në lindje, por shpërthime u raportuan gjithashtu edhe në Kiev.

Moska është kundërpërgjigjur ndaj sulmeve të Ukrainës në qytetin kufitar rus të Belgorod të shtunën, ku u vranë të paktën 24 persona.

Kjo erdhi pasi Rusia kreu sulme ajrore në të gjithë Ukrainën të premten.

Kievi tha se ato sulme, të cilat vranë të paktën 41 njerëz, ishin bombardimet më të mëdha me raketa deri më tani.

Sulmet e fundit ruse ndodhën kur Ukraina hyri në ditën e saj të fundit të vitit 2023.

Të dielën, forcat ajrore të Ukrainës raportuan se kishin shkatërruar 21 nga 49 dronët rusë të nisur gjatë natës, me shumicën e sulmeve të drejtuara në rajonet Kharkiv, Kherson, Mykolaiv dhe Zaporizhzhia.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës në rajonin përreth kryeqytetit Kiev u angazhuan gjithashtu vonë të shtunën për të zmbrapsur një sulm me dron rus, tha administrata ushtarake e rajonit në Telegram.

Guvernatori rajonal i Kharkiv tha se 28 persona ishin lënduar pasi të paktën gjashtë raketa goditën qytetin pranë kufirit me Rusinë gjatë natës.

Ministria e Brendshme e Ukrainës raportoi gjithashtu dëme në 12 blloqe banesash, 13 shtëpi, spitale, një ndërtesë hoteli, një kopsht fëmijësh, ambiente tregtare, një tubacion gazi dhe makina.

"Këto nuk janë objekte ushtarake, por kafene, ndërtesa banimi dhe zyra", tha kryetari i komunës së Kharkiv, Ihor Terekhov në Telegram.

"Në prag të Vitit të Ri, rusët duan të frikësojnë qytetin tonë, por ne nuk jemi të frikësuar - ne jemi të pathyeshëm"

Në rajonin jugor të Khersonit, guvernatori raportoi gjithashtu dy persona të vrarë nga bombardimet ruse./BBC/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024