Izraeli do të zgjerojë operacionet tokësore sonte dhe ka paralajmëruar banorët e qytetit të Gazës që të lëvizin në jug.
Kundëradmirali Daniel Hagari, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), tha se përveç sulmeve që kanë kryer ditët e fundit, forcat tokësore po zgjerojnë aktivitetin e tyre këtë mbrëmje.
Kjo vjen pasi forcat izraelite thanë se kishin kryer më shumë sulme në Gaza – duke përfshirë një operacion të marinës.
IDF tha se trupat kishin përdorur anije për të sulmuar "infrastrukturën ushtarake të Hamasit", me mbështetjen e avionëve, përgjatë bregdetit në Rripin jugor të Gazës mbrëmë.
Videoja tregonte shpërthime pranë detit dhe ushtarë që gjuanin armët e tyre në errësirë.
Megjithatë, Hamasi kundërshtoi versionin e IDF-së për ngjarjet në një deklaratë dhe tha se forcat e tij kishin zmbrapsur sulmuesit, raportuan mediat izraelite.
Forcat izraelite thanë gjithashtu se kryen një bastisje të veçantë tokësore në periferi të qytetit të Gazës të enjten mbrëma, si pjesë e një vale të dytë të inkursioneve të fundit në territor.
Sipas autoriteteve të Gazës, më shumë se 7.300 palestinezë janë vrarë tani në valët e sulmeve ajrore nga Izraeli si hakmarrje për një masakër ndërkufitare të kryer nga Hamasi në jug të vendit më 7 tetor.
Më shumë se 1.400 njerëz në Izrael, kryesisht civilë, u vranë gjatë sulmit fillestar të Hamasit, sipas qeverisë izraelite.
Ai tha gjithashtu se Hamasi po mban të paktën 224 robër brenda Gazës, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Më shumë se një milion njerëz në Gaza janë larguar nga shtëpitë e tyre, dhe shumë prej tyre kanë ndjekur urdhrat e Izraelit për t'u evakuuar në jug.
Kriza humanitare e shkaktuar nga lufta dhe rrethimi izraelit ka ndezur protesta në të gjithë rajonin dhe më shumë demonstrata priten më vonë të premten pas lutjeve javore myslimane. /Sky News