Lufta Izrael-Gaza: Intensifikohen bisedimet për armëpushim në Kajro
Lexohet për: 3 min.
lufta
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Përpjekjet janë intensifikuar për të siguruar një marrëveshje për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve, me bisedimet që rifillojnë në Kajro të shtunën. Hamasi tha se delegacioni i tij po udhëtonte me një "frymë pozitive" pasi kishte studiuar propozimin e fundit të armëpushimit. "Ne jemi të vendosur për të siguruar një marrëveshje në një mënyrë që përmbush kërkesat e palestinezëve," tha ai. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se "vendimi për armëpushim duhet të jetë një gjë e lehtë" për grupin militant. Negociatorët e Hamasit janë kthyer në kryeqytetin egjiptian për të rifilluar bisedimet e gjata - të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari - që do të ndalonin përkohësisht ofensivën e Izraelit në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve.

Në një deklaratë të lëshuar mbrëmë, Hamasi tha se dëshironte një marrëveshje të "zgjuar” në tryezë, gjë që sugjeron se ka zona ku të dy palët ende nuk pajtohen. Çështja kryesore duket se përfshin nëse marrëveshja e armëpushimit do të ishte e përhershme apo e përkohshme. Hamasi po këmbëngul që çdo marrëveshje të bëjë një angazhim specifik drejt përfundimit të luftës, por Izraeli heziton të pajtohet ndërsa grupi mbetet aktiv në Gaza. Mendohet se formulimi që po diskutohet përfshin një pauzë 40-ditore në luftime ndërsa pengjet lirohen, dhe bëhet lirimi i një numri të burgosurish palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur vazhdimisht se do të ketë një operacion të ri ushtarak tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah, edhe nëse arrihet një marrëveshje. Mediat izraelite raportuan të shtunën se qëndrimi i tij mbeti i pandryshuar pavarësisht raundit të fundit të bisedimeve. Por SHBA-ja – aleati më i madh diplomatik dhe ushtarak i Izraelit – heziton të mbështesë një ofensivë të re që mund të shkaktojë viktima të konsiderueshme civile dhe ka këmbëngulur të shohë fillimisht një plan për të mbrojtur palestinezët e zhvendosur. Rreth 1.4 milion njerëz janë strehuar në Rafah pasi u larguan nga luftimet në zonat veriore dhe qendrore të brezit. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), Williams Burns, ka udhëtuar në Kajro për të ndihmuar ndërmjetësimin e bisedimeve të fundit, sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën me partnerin e lajmeve të BBC-së në SHBA, CBS News. Blinken ka qenë gjithashtu një figurë kyçe në negociatat dhe vizitoi Izraelin përsëri këtë javë për të takuar Netanyahu. Duke folur të premten në Arizona, Blinken tha se "e vetmja gjë që qëndronte mes popullit të Gazës dhe armëpushimit ishte Hamasi". /BBC

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024