Lojërat Olimpike Paris 2024 po afrohen, ndërsa ekipi olimpik i Kosovës po vazhdon përgatitjet për pjesëmarrjen e tretë në garën e madhe sportive botërore.
Në kuadër të përgatitjeve, nesër Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) lanson kampanjën GoldenEuropeans (Evropianët e artë), ku do të zbulohen aktivitetet e shumta deri në Paris 2024.
Për herë të parë në historinë e Lojërave Olimpike Verore, ceremonia e hapjes nuk do të zhvillohet në një stadium. Paris 2024 po hap terren të ri duke sjellë sportet në qytet dhe e njëjta gjë do të jetë për ceremoninë e hapjes që do të mbahet në zemër të qytetit përgjatë lumit Sena.
Duke marrë një petk të ri, sfilata e sportistëve do të mbahet me varka për çdo delegacion kombëtar. Këto varka do të pajisen me kamera për të lejuar televizionin dhe shikuesit online të shohin sportistët nga afër.
Sportistët në bordin e anijeve të paradës do të marrin disa nga vendet zyrtare të Lojërave, duke përfshirë Parc Urbain La Concorde, Esplanade des Invalides, Grand Palais dhe së fundi urën Iéna ku parada do të ndalet përpara finales së ceremonisë në Trocadéro.
Tifozët nuk do të kenë nevojë për bileta për të hyrë në kalatat e sipërme, por ata që dëshirojnë të hyjnë në kalatat e poshtme, nga ura e Austerlitz në ura Iéna, do të duhet të blejnë bileta.
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Paris 2024 do të jetë më e madhja në historinë e Lojërave. Ajo do të jetë e hapur për të gjithë: banorë nga Parisi dhe rajoni i tij, si dhe vizitorë nga Franca dhe bota.