Drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, ka thënë sot se organizata terroriste serbe “Severna Brigada” është me seli në Beograd, duke vënë në pah se e njëjta po bënë “lojë” me lokacionin. Kjo duke aluduar në postimin e fundit të kësaj organizate, e cila qëllimshëm ka zgjedhur të paraqitet gjoja po poston në Facebook nga Graçanica.
Pas raportimeve të KosovaPress-it për një gjë të tillë, Musliu ka shkruar në Facebook se “kur organizatat frikësohen për zbulimin e lokacionit të tyre, lëshojë komunikata të rrejshme për shpërqendrim vëmendjeje”.
Ai ka thënë se selia e kësaj organizate është në Beograd, tek presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Të gjithë e dijmë se postimet në rrjete sociale, mund ta vendosin lokacionin ku të duan. Ekziston kjo mundësi teknike. Të gjithë e dimë se selia e kësaj organizate terroriste është në Beograd - te Vuçiqi. Kurse, ‘zyrat’ e tyre të para janë në Kopaonik - te Radoiçiqi”, vijoi ai.