Liridoni e Veronika, dy emra premtues të muzikës
Lexohet për: 5 min.
liridon-veronika-031223
1 vit më parë
Linku u kopjua

Dy zëra të ëmbël e shumë premtues, që e argumentojnë thënien se ‘talenti  është me të lindur’. Liridon dhe Veronika Mehemti, vëlla e motër nga Gjakova, janë brezi i tretë që po e trashëgojnë talentin për këndim. Ata ia kanë marrë “dorën” muzikës, derisa performojnë edhe në dasma. Gërshetimi i tingujve kur ia thonë këngës së bashku, zgjon dëshirën për t’i dëgjuar, pasi edhe marrin shumë komente pozitive nga publiku.

Këngëtari 20 vjeçar, Liridon Mehmeti tregon se karriera e tyre ka nisur kur kanë filluar të këndojnë me çiftelia e harmonikë bashkë me babain e tyre, më pas për të vazhduar me muzikë moderne. Ai tregon se përveç këndimit, din të luaj edhe me sint.

"Në fakt me muzikë merrem qysh moti. Në fillim kemi kënduar me babin, pak a shumë me çiftelia, kemi bërë folklor. Më pas kemi nisur duke avancuar dhe kemi dalur në muzikë moderne, kam qenë  edhe në shkollë të muzikës. Tani vazhdoj si student në UBT |Audioproduksion...Qysh se të vegjël kemi kënduar bashkë, pastaj kemi nisur edhe dasma, dhe kemi filluar të punojmë edhe më shumë me dasma. Më shumë kemi bërë muzikë tek familjarët, kështu e kemi nisur duke u zgjeruar më shumë. Sivjet kemi pasur mirë, por pak po frikësohemi qysh po i marrim hapat, me kë po ushtrojmë dhe pak më shumë ushtrojmë vetë. Unë luaj edhe me sint dhe bëjmë muzikë vet", tha Liridoni.

Zëri simpatik, që mori mijëra klikime me këngën “Ekstremisht”, Liridon Mehmeti thotë se talentin e kanë familjar, derisa shprehet se i synon majat e suksesit në të ardhmen  me këngët për dashuri e lumturi.

"Talentin e kemi familjar qysh prej gjyshit, rreth tre breza i kemi që bëjmë muzikë, kemi nisur me babin me çiftelia dhe harmonikë...Tash jemi pak më të lirë, kur vjen sezona e verës deri në pesë orë patjetër bashkë me motrën...Tani edhe me studio kame filluar të punoj kapak, sa për ta bërë ndonjë demo sa për vete dhe shpresoj që në të ardhmen të vazhdoj me studio dhe këndim...Caku është të bëhem sa më i suksesshëm dhe të bëjmë vetëm muzikë të mirë, muzikë për dashuri dhe për lumturi dhe të gjitha të mirat...(Cila këngë të flenë më shumë në zemër?). Kënga ‘Ekstremisht’ që e kam timen",

Ndër të tjera, Liridoni tregon se janë duke punuar në një projekt me këngë për festën e Vitit të Ri, derisa premton se do të dalë diçka e mirë për publikun.

Talenti 21 vjeçar, teksa flet për sezonën e dasmave, thekson një ngjarje interesante që iu kishte ndodhur gjatë një ahengu. Ai thotë se ia kanë uruar ditëlindjen dikujt që nuk e ka pasur fare, meqë ashtu iu është thënë.

Ndërkaq, talenti i familjes Mehmeti nuk mbaron me kaq. Veronika 13 vjeçe, këndon krah vëllaut të saj Liridonit, për të cilin thotë se e mbështetë jashtëzakonisht shumë në karrierën e saj muzikore.

Ajo tregon se qysh e vogël ka filluar të këndoj, duke marrur pjesë në programe të shkollës e ahengje familjare, teksa shton se nga publiku marrin shumë përkrahje e komente pozitive.

"Prej se kam qenë e vogël kam filluar të merrem me muzikë bashkë me vëllaun tim. Vëllau më ka dhënë një krah shumë të madh, më ka mbështetur gjatë gjithë kohës sa jam merrur me muzikë...Talentin e kam zbuluar duke bërë muzikë me babain dhe vëllaun tim, duke kënduar...(Në shkollë a ke marrur pjesë në programe?). Po, kam marrur pjesë nëpër programe dhe kam kënduar...Ju ka pëlqyer shume dhe më kanë komplimentuar shumë për zërin...Të gjithë publikun e kam pasur përkrahës gjatë gjithë kohës. Kemi shumë njerëz që na shkruajnë, shumë komente të mira duke na përkrahur dhe duke na suportuar për të vazhduar...15:21 Në fillim në darsma që e kemi nisur kemi pasur shumë stres dhe emocione, se donim të prezantohemi mirë në publik. Pas disa dasmave, kemi qenë më të lirshëm të komunikojmë më publikun dhe të bëjmë më atmosferë", thotë Veronika.

Përveç këndimit, një instrument shumë i dashur për Veronikën është violina, për të çka zotërohet se do të ketë sukses në të ardhmen.

"Në të ardhmen mendoj që të hyjë në shkollë të muzikës dhe të vazhdoj me një instrument që e dua shumë, që është violina, dhe mendoj që do të kem sukses në këtë rrugë. (Pse e ke zgjedhur këtë instrument?). Se është instrument shumë i ëmbël dhe është mbretëresha e instrumenteve”, tregon Veronika.

Ndër të tjera, ata u shprehën se rruga e tyre drejt suksesit, pavarësisht sfidave po shkon në hapa të duhur.

Ndërkaq, në kanalin e Youtube Veronika dhe Liridoni kanë publikuar disa interpretime të këngëve të ndryshme si dhe ky i fundit ka lansuar këngën e tij “Ekstremisht”. /Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025