Komuna e Lipjanit këtë vit solli aktivitetin “Mërgata Fest & Sport” për të uruar mirëseardhje të gjithë bashkëvendësve të ardhur nga diaspora për të kaluar pushimet në vendlindje. Nga data 8 deri më 10 gusht u mbajtën aktivitete sportive e argëtuese që u përmbyllën me koncertin e madh në qendër të qytetit.
Këngëtarët si Sabri Fejzullahu, Grupi “Ilirët”, Teuta Selimi dhe artistë të tjerë u përkujdesën për argëtimin e qytetarëve, ndërsa u organizuan lojëra me karakter garues si beach volley, ping-pong, shah, mundja e krahut, pikado, çiklizëm, shigjetari e futboll të vogël. Gjithashtu, u shtrua edhe sofra tradicionale.
"Qëllimet tona janë t'i bashkojmë mërgatën dhe qytetarët rezidentë të qytetit të Lipjanit në një vend të përbashkët. Ata mos të ndihen si mysafirë në vendin e tyre. Kështu që ky ishte edhe qëllimi ynë. Na kemi pas nevojë për një frymë ndryshe të qytetit të Lipjanit për një qytet me plot ngjyra dhe po besoj që e kemi arrit qëllimin”, tha Reçica-Llugiqi.
Në ditën e fundit të “Mërgata Fest dhe Sport” u luajtën edhe ndeshjet finale në disa nga sporteve që ishin pjesëmarrëse, ku më pas u shpërndanë edhe trofetë e medaljet për sportistët fitues.