Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, vitin 2023 e quan të suksesshëm pavarësisht mungesës së mbështetjes qendrore. Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se bashkëpunimi me qytetarë është i mirë dhe se do të vazhdojnë punët e mira të komunës që ai drejton.
Derisa ka treguar projektet e realizuara për vitin që lamë pas, kryetari Ahmeti veçon investimet për të rinjtë, përfundimin e palestrës së madhe në Lipjan, investimet në çerdhe, teksa tregon se komuna ka pasur buxhet prej tetë milionë euro për investime kapitale, ku rreth 80 për qind prej tyre janë shpenzuar.
Kryetari Ahmeti thotë se është investuar në nevoja elementare në çdo fshat të komunës së Lipjanit dhe se ndryshimet për të mirë janë të dukshme.
Kryetari i Lipjanit, derisa ka shpalosur projekte e realizuara dhe ato në proces për këtë komunë, thotë se mbështetja e qeverisjes në nivel qendror ka munguar, krejt kjo sipas tij mbi baza partiake. /A.Drenica