Ligji për KPM, OSBE: Ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes
Lexohet për: 3 min.
KPM
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Misioni i OSBE-së në Kosovë është i shqetësuar për disa aspekte të miratimit të sotëm nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), duke përkujtuar se shumica e rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë për të drejtën e medias nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar.

Rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit. Rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh, thuhet në reagim.

OSBE thotë se zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes.

Për më tepër, OSBE përkujton se ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetërregullimit teksa rregulloret në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e medias kanë mungesë të qëndrueshmërisë procedurale.

“Do të jetë e rëndësishme që ligji i miratuar tani të jetë objekt i një shqyrtimi gjithëpërfshirës, ​​gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ne jemi të gatshëm si kurrë për të mbështetur KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritjen e kapaciteteve”, thotë OSBE.

Ndryshe, ekspertët ndërkombëtarë dhanë komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ligji i ri për KPM-në jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, si dhe do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi.

Ndaj miratimit të ligjit të ri për KPM-në ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se partia në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e mediave, dhe ka shpërfillur raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës që ka konstatuar se pjesa më e madhe e ligjit nuk i përmbush standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës, gjë e cila u konstatua sot para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

AGK bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.

Ligji i ri i miratuar nga Kuvendi sot parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio e video materiale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024