Lideri opozitar në Korenë e Jugut, Lee Jae-myung, është therur me thikë në qafë nga një person i paidentifikuar, teksa ai po vizitonte qytetin juglindor Busan më 2 janar, tha policia.
Lee, 59 vjeç, udhëheq partinë kryesore opozitare, Partinë Demokratike. Pas sulmit, ai mori trajtim mjekësor në Busan dhe më pas u dërgua në një spital në Seul për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Polica dhe zyrtarët e emergjencës thanë më herët se ai pas sulmit ishte i vetëdijshëm dhe se gjendja e tij nuk ishte kritike, por gjendja e tij e saktë shëndetësore ende nuk dihet.
Sohn tha se zyrtarët e Partisë Demokratike që gjendeshin pranë liderit opozitar e kapën sulmuesin dhe më pas policia e arrestoi atë. Ai tha se 41 zyrtarë policorë u dislokuan në zonë për të kontrolluar turmën dhe për të menaxhuar trafikun.
Në pamjet televizive, Lee u shfaq me sy të mbyllura i shtrirë në tokë, përderisa një person i kishte vendosur një shami në qaf për t’ia ndalur gjakun. Një dëshmitar tha se Lee ka humbur shumë gjak. Në rrjetet sociale janë shpërndarë video që shfaqin të dyshuarin, i cili kishte të vendosur në kokë një kurorë prej letre ku shkruhej “Unë jam Lee Jae-myung”. Në pamjet e shpërndara shihet se si sulmuesi ndiqet nga disa persona, përfshirë edhe zyrtarë policorë./REL/