Liderë botërorë, në mesin e tyre edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, nderojnë sot ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë më 23 mars në moshën 84-vjeçare.
Të udhëhequr nga presidenti amerikan Joe Biden, dhe paraardhësit e tij, Barack Obama dhe Bill Clinton, rreth 1.400 veta do të mblidhen në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, për të kujtuar arritjet e saj.
Zyrtarët e tjerë të lartë, që pritet të jenë të pranishëm, përfshijnë: sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, drejtorin e CIA-s, Bill Burns, dhe këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Albright ka qenë gruaja e parë amerikane në pozitën e sekretares së Shtetit. Ajo ka luajtur një rol kyç për të bindur administratën e Bill Clinton në intervenimin e NATO-s kundër Sllobodan Millosheviq në vitin 1999.