Kosova nuk ka qenë asnjëherë e ndarë nga veprimtaria e ambasadorit Dashnor Dervishi, i cili zyrtarisht ka shërbyer si ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në 7 vende të ndryshme e në dy sisteme të ndryshme, por gjithnjë çështja e Kosovës ka qenë pjesë e aktivitetit të tij.
Të gjitha këto angazhime të ambasadorit Dervishi janë paraqitur në librin me dy vëllime "50 vjet marrëdhënie me jashtë” që u promovua mbrëmjen e sotme në Prishtinë, nën organizimin e Universitetit të Prishtinës dhe Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.
Në promovimin e këtij libri, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, deklaroi se këto dy vëllime janë pasuri për shoqërinë shqiptare e në veçanti për ata që veprimtari të tyre kanë diplomacinë dhe marrëdhëniet me jashtë.
“Që nga sot sirtarët e bibliotekave shqiptare do të kenë në përbërje të tyre dy vëllime të një kalibri të lartë dedikuar misionit diplomatik dhe shërbimit t jashtëm të ambasadorit Dervishi... Të dy vëllimet do të jenë një dritare më shumë në shërbim të profesionistëve të cilët shërbimin diplomatik dhe marrëdhëniet me jashtë i kanë fushëveprimit... I vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë e vëllimeve me marrëdhëniet me jashtë kam bindjen që këto vëllime do të mbeten më rendësi të veçantë gjithnjë”, tha Sahiti.
“Ajo që e bën më të veçantë ambasador Dervishi është fakti që është marrë shumë me çështjen e Kosovës, gjatë periudhës moniste por edhe më vonë, edhe tani, dhe libri, të dy botimet e tij, trajtojnë shumë qartë edhe qëndrimin e Shqipërisë qëndrimin e vendeve aleate përsa i përket çështjes së Kosovës. Ambasador Dervishi është një hulumtim shumë i mirë i marrëdhënieve edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, lidhur edhe me Kosovën", tha Minxhozi.
Në fjalën e tij, autori i librit, ambasadori Dervishi u shpreh se ndjehet i emocionuar që po promovon në Prishtinë këto dy vëllime ndërsa shtoi se në veprimtarinë e tij nuk e ka ndarë Kosovën.
Ambasadori Dervishi u shpreh se, pavarësisht se libri mund të duket si kujtime personale, në të vërtetë mban ngjarje dhe fakte reale të dokumentuara me fotografi dhe dokumente origjinale.
“Libri është shkruar duke u bazuar në shënimet, informacione dhe analizat për Ministrinë e Jashtme, si dhe në kujtesën dhe përshtypjet e mia të kohës të cilat shoqërohen me fotografi dhe dokumente origjinale. Duket në libër sikur kemi të bëjmë me kujtime personale por në fakt shënimet e hedhura janë kryesisht ngjarje, fakte reale dhe fenomene të ndodhura gjatë veprimtarisë sime diplomatike. Gjatë përgatitjes për botim, ato me tingëllonin aktuale edhe për sot”, vijoi Dervishi.