Liberalizimi i vizave për Kosovën në krye të agjendës çeke në Këshillin e BE-së
Lexohet për: 6 min.
Ambasada e Çekisë (5 of 25)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Liberalizimi i vizave për Kosovën është në krye të agjendës për Çekinë, e cila do të kryesojë Këshillin e Evropës deri në fund të vitit.

Në Prishtinë, gjatë së premtes janë prezantuar prioritetet e presidencës çeke për gjashtë muajt e ardhshëm.

Presidentja e kryeministri kanë deklaruar se gjatë vitit synohet aplikimi për statusin kandidat në Bashkimin Evropian. Mes tjerash, kanë theksuar pritjet nga Çekia për tu mbyllur çështja e liberalizimit të vizave.

Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek ka deklaruar se liberalizimi i vizave do të jetë prioritet gjatë kryesimit të Këshillit të Evropës nga Çekia.

Ai theksoi se motoja e Presidencës Çeke është “Evropa si detyrë: ri-mendo, rindërto, ri-fuqizo”, e marrë nga titulli i fjalimit të presidentit Vaclav Havel nga viti 1996.

“Presidenca çeke do të përpiqet të arrijë progres konkret me negociatat e zgjerimit të BE-së dhe të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenca çeke do t'i kushtojë vëmendje të veçantë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenca çeke ka në krye të agjendës së saj liberalizimin e vizave për Kosovën dhe në planet tona është një debat i hershëm i vendeve anëtare të BE-së për këtë çështje të rëndësishme. Zonja dhe zotërinj, lufta brutale dhe agresioni na ka treguar gjithashtu qartë se do të duhet të gjejmë guximin për të vlerësuar shumë nga qasjet dhe premisat tona aktuale. Prandaj Evropa ka një detyrë, ka një mundësi për të reflektuar së bashku dhe për të bërë thirrje për veprim të vendosur bazuar në vlerat tona, nëse duam të përmbushim pritjet e këtij momenti historik, atëherë sfida jonë e përgjithshme është të rimendojmë dhe rindërtojmë Evropën”, ka thënë Bilek.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën drejt integrimit evropian. 

“Vlerat e BE-së janë në strukturën e shoqërisë sonë dhe agjenda evropiane është parimi udhëheqës i veprimit dhe politikë-bërjes sonë të përditshme, dhe ka ardhur koha që ne të bëjmë një hap të madh përpara. Këtë vit Republika e Kosovës synon të aplikojë zyrtarisht për statusin kandidat për anëtarësim në BE. Ne jemi shumë krenarë që kjo do të ndodhë gjatë presidencës së Republikës Çeke. Ky padyshim do të shënojë një hap historik për vendin tonë, duke riafirmuar edhe një herë vullnetin e popullit të Kosovës për t'iu bashkuar familjes evropiane, ku realisht përkasim”, ka thënë Osmani.

Osmani ka përmendur edhe çështjen e mos heqjes së vizave, të cilën e quajti edhe një herë të padrejtë.

“Sipas fjalëve të mikut të madh të Kosovës të presidentit të ndjerë çek, Vaclav Havel, nuk mjafton të ngremë sytë lart, duhet të ngjitim shkallët, përderisa 6 muajt e ardhshëm mund të na ndihmojnë të ecim përpara, ato gjithashtu paraqesin një mundësi të madhe për të reflektuar mbi një nga padrejtësitë më të mëdha që ka pasur deri më tani, mungesën e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës. Ne jemi paraqitur, tani është radha e Bashkimit Evropian”, ka thënë Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar pritjet për Republikën Çeke në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Realiteti i ri pas 24 shkurtit të këtij viti është gjithashtu një mundësi e re për Bashkimin Evropian që të udhëhequr me një ndjenjë urgjence në sigurimin e paqes në Ballkanin Perëndimor duke përshpejtuar reformat dhe duke përmbushur premtimet e tij. Populli i Kosovës ka pritshmëri të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t'i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës, në Evropë. Si i vetmi kandidat potencial për BE-në që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, ne gjithashtu presim me padurim të punojmë së bashku, nga afër në gjashtë muajt e ardhshëm ndërsa përgatitim aplikimin tonë për anëtarësim në BE”, ka deklaruar ai.

Në prezantimin e prioriteteve të udhëheqjes çeke, shefi i ekzekutivit shtoi se gjashtë muajt e ardhshëm janë vendimtare.

“Gjashtë muajt e ardhshëm janë një moment vendimtar për kontinentin tonë, vlerat tona të përbashkëta për të cilat kemi luftuar shumë për t'i arritur, liria, liritë individuale, demokracia e të drejtave të njeriut, dhe shteti i së drejtës janë të gjitha në rrezik nga agresioni rus i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm në Ukrainë, prandaj ne jemi përgjigjur kolektivisht duke vendosur sanksione kundër Federatës Ruse dhe duke treguar solidaritet dhe mbështetje për Ukrainën dhe popullin e saj. Kosova është rreshtuar me sanksionet e BE-së dhe me politikën e BE-së kundër Federatës Ruse. Dhe ne kemi treguar solidaritet me popullin ukrainas duke ofruar strehim për refugjatë, ndihmë humanitare dhe duke ofruar strehim dhe kushte pune për gazetarët ukrainas”, ka thënë Kurti.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka përmendur agresionin rus në Ukrainë. 

“Kosova ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë partneri ynë. Kosova tashmë ka marrë një qëndrim të qartë politik duke dënuar agresionin rus dhe duke marrë masa të ngjashme si BE dhe aleatët e tjerë. Ne mirëpresim solidaritetin me Ukrainën, duke ofruar ndihmë humanitare dhe duke pritur gazetarë e refugjatë. Në të njëjtën kohë, ne presim të njëjtin lloj zgjidhjeje dhe ambicie kur bëhet fjalë për forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike, luftës në Ukrainë, duke hapur rrugën drejt dekarbonizimit dhe energjisë së pastër, si dhe garantimit dhe mbrojtjes së demokracisë dhe të drejtave themelore. Një angazhim i tillë ndaj vlerave të BE-së, forcon kapacitetin tonë evropian për të mbrojtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Evropës dhe për të formësuar të ardhmen tonë të përbashkët. BE-ja konfirmoi vazhdimisht të ardhmen evropiane, për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën”, ka thënë Szunyog.

Nga sot, Çekia merr kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, që do të zgjas gjashtë muaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024