Lëvizja Popullore e Kosovës- LPK (me rastin e dyzetvjetorit të saj)
Lexohet për: 21 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Një gjë duhet të jetë e qartë: Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, ishte ëma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Tani, pak rëndësi kanë qëndrimet e disa personazheve të asaj kohe, që për një qëllim apo tjetër, mundohen ta tejkalojnë, apo mohojnë këtë fakt të pamohueshëm. Rrethanat në të cilat ishte krijuar, zhvilluar dhe arritur kjo, duke u nisur nga pika zero, me gjithë pengesat e panumërta e deri këtu- padiskutueshëm është për të u përkulur para këtij organizimi kolosal. Kjo ishte një e arritur e paimagjinueshme, është fuqia e popullit dhe gjaku i derdhur për liri, që nuk lejoj të humbas Kosova përgjithmonë. Nëse këtë e mohojmë, bëjmë shkelje të rëndë etike, po aq shkelje sa të mohojmë përpjekjet shekullore të shqiptarëve, që para lidhjes së Prizrenit e deri tek ditët e sotme, për liri e bashkim kombëtarë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës deri me sot, në arenën e kryengritjeve të shumta të shqiptarëve ndër shekuj, bëri arritjen më të madhe që njeh historia jonë, ishte njëra ndër njësitet guerile- kryengritëse dhe çlirimtare më të suksesshmet, madje edhe në nivel të artit ushtarak ndërkombëtarë!
Ndaj mendimin së, po aq shkelje etike bëjmë nëse mohojmë urtësinë dhe maturinë diplomatike të përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (me gjithë dikasteret e saj), të cilët për asnjë moment nuk kanë rënë në lajthitje dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të luftës. Në një kohë kur regjimi gjakatarë Serb, kishte përgjakur të gjithë popujt tjerë të ish Republikave që ishin të lidhur dikur në ish Federatën Jugosllave.
Nga ana tjetër, regjimi gjakatar Serb, kishte shkelur me dhjetëra herë këto Konventa, duke ushtruar dhunë e masakra, deri në përmasa gjenocidi ndaj popujve tjerë jo-serb, në veçanti ndaj atij Kroat, Boshnjak dhe shqiptarë.

Përmasat e gjenocidit Serb në këtë rast ishin të realizuara me zbatimin e luftës së saj gjakatare, Serbia synonte shkatërrimin e tërësishëm, ose të pjesshëm të një komuniteti kombëtarë, kompakt etnik, racorë, fetarë apo tjetër, që në këtë rast, në veçanti kishin për qëllim t’i godisnin për shfarosje shqiptarët autokton.
Kjo goditje po vinte nga një Ushtri e Organizuar Serbe, nga një komandë urdhërdhënëse, nga një shërbim, nga një furnizim i ngarkuar me përgjegjësi, nga një urdhërdhënës i kreut shtetërorë, ushtarak dhe politik- siç ishte Shteti i organizuar gjakatarë Serb, në krye me gjakatarin fashist Millosheviq.

Tani edhe pas gjithë atyre viteve, Lëvizja Popullore e Kosovës, lakohet nëpër rasa si organizatë e majtë, Enveriste etj. Kjo, as sot, nuk bënë ndonjë risi, madje nuk e ulë dhe as ngritë imazhin e saj më shumë së ç’ishte Lëvizja Çlirimtare Popullore e Kosovës.
Është shumë e saktë së orientimi i organizatës ishte i majtë, dhe ta ketë për nder që ka pasur orientim nga Enveri dhe Shqipëria, dhe jo nga Tito e Jugosllavia. Në fakt ne sot, edhe po të mundoheshim t’i kuptojmë nostalgjikët e dikurshëm të LKJ-ës, ata vet, duhet ta kuptojnë një herë e mirë së ajo kohë ka perënduar përgjithmonë.

Lëvizja Popullore e Kosovës, duam apo jo, ishte e para që pati guximin ta ngritë zërin dhe të marrë hapa konkret për çlirimin e vendit. Ishte e para që luajti rolin e një subjekti politik të pandikuar, vigjilente dhe largpamës. Ky subjekt ishte sovran në vendimet e veta, kishte program dhe statut, kishte struktura të organizuara, kishte hierarki dhe sektor të rëndësisë së veçantë, kishte përgjegjësi dhe llogaridhënie. Ky subjekt, kishte edhe (organin e vet) gazetën e saj javore, “Zërin e Kosovës”. LPK, ishte e para që kërkoj lirinë dhe bashkimin e plotë të tokave shqiptare të pushtuara nga ish Jugosllavia dhe Serbia dhe fqinjët tjerë grabitqar, duke mos përjashtuar asnjë veprim për të filluar mobilizimin për çlirimin e vendit- që nuk përjashtonte as luftën e armatosur për çlirim e bashkim kombëtarë.

Në një kohë kur një pjesë e partive tjera që u formuan më vonë në Kosovë, rreshtuar krahë LDK-ës, këto së bashku, mohuan në vazhdimësi opsionin e luftës për liri, duke treguar kështu mosgatishmëri për t’i dalë zot atdheut.
“Filozofia politike” e të cilave ishte; qetësi dhe nënshtrim para pushtuesit, me moton e durimit dhe të mos provokimit të pushtuesit Serb!...
Ndërkaq, LPK, vazhdojë së zbatuari objektivat e saja, pavarësisht çka thanë të tjerët atëherë dhe tani. LPK, krijoj dhe shtriu strukturat e radhëve të armatosura që u pagëzuan si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në radhët e së cilës u rreshtua bijtë dhe bijat më të mirë të popullit tonë liridashës.

Në vitin 1992, GOR-i, me urdhër të Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-ës, atëbotë filloi organizimin dhe riorganizimin e radhëve të saja edhe për rrethin tonë. Pak ditë pas mbledhjes, që ishte mbajtur paraprakisht në shtëpinë time, ku morën pjesë gati të gjithë ish të dënuarit politik të Komunës së Skenderajt, si: Murat Musliu, Murat Dauti, Bislim Bajrami, Elmi Zeka, Enver Haliti, Ahmet Tahiri, Ramadan Dobra, Gani Koci, Miran Demiri, Ramë Rama, Sali Maliqi e shumë tjerë.
Mbledhja e radhës u mbajt në shtëpinë e Sami Lushtakut me 1992, ku ishin të pranishëm Ramadan Avdiu, Hashim Thaçi, Mehmet Bislimi, Elmi Zeka, Jakup Nura, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Rrahim Rama dhe të tjerë që kam mundur t’i harroj. Aty u mor vendim që organizatës bazë t’i propozohet formimi i krahut politik dhe atij luftarak. Elmi Zeka prezantoi Këshillin e Rrethit tonë në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të Organizatës së LPRK-ës, që është mbajtur në tetor 1991, në Ujëmir të Drenicës në shtëpinë e Ukë Shalës ku morën pjesë delegatë nga këshillat e LPRK-ës, si:  Muhamet Mehmeti, Xhavit Haziri, Bahri Fazliu, Emrush Xhemajli, Halil Selimi, Xheladin Gashi, Ramadan Avdiu, Ibish Neziri, Ahmet Haxhiu, Ali Lajçi, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Gani Syla, Ilaz Kadolli, Beajdin Allaçi e të tjerë. Në këtë mbledhje u aprovuan ndryshimet programore dhe statutare, u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e LPK-ës, si dhe kryeredaktor i “Zërit të Kosovës”, Avni Dehari.

Me 28-29 korrik 1993, në Kodrën e Trimave, Prishtinë në shtëpinë e Fatmir Brajshorit, mbahet Mbledhja e IV-ët e Përgjithshme e LPK-ës, me pjesëmarrës: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Gjeladin Gashi, Mehmet Bislimi, Isa Krasniqi, Fatmir Brajshori dhe të tjerë delegatë e drejtues nga tereni. Nga delegatët e LPK-ës jashtë vendit, kanë qenë pjesëmarrës: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari, Bilall Sherifi e të tjerë. Në mbledhje bëhen ndryshime programore e statutare.
Në Program tekstualisht aprovohet si mjet i arritjes së qëllimit lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës (me viset shqiptare në ish-Jugosllavi). Aprovohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-ës. Ndërsa emri i LPRK-ës u ndërrua në LPK, pra Lëvizja Popullore e Kosovës.

3 gusht 1993, Okupatori Serb, arreston një pjesë të veprimtarëve të LPK-ës. Në mesin e tyre edhe disa drejtues të saj si: Xhavit Hazirin, Binak Berishën, Ahmet Haxhiun, Bajrush Xhemajlin, Sanie Aliun, Ismet Mahmutin, Ramadan Pllanën, Hajredin Hysenin, Beajdin Allaçin, Rexhep Avdiun, Ilaz Kadollin etj.

Pjesa e dytë e vitit 1993 : Një pjesë e veprimtarëve të LPK-ës kalojnë në Shqipëri dhe diasporë. 1994, konsolidohet grupi i gazetarëve të “Zërit të Kosovës” në Prishtinë në përbërje me Nezir Myrtën, Nuhi Paçarizin, Merxhan Avdylin dhe Besim Zymberin. Ndërsa në Tiranë angazhohet Shaban Sinani dhe Naim Zoto.

Mbrojtja e së vërtetës

Mbrojtja e së vërtetës, para së gjithash është kod moral dhe obligon të gjithë, kjo veti fisnike ndërgjegjëson njerëzit, pavarësisht rrethanave që mund të ndodhemi, e vërteta duhet thënë edhe atëherë kur është e ndaluar! E vërteta përjashton gënjeshtrën dhe mbron realitetin, për fatin tonë të mirë, sot nuk mund të të dënojnë kur e mbron të vërteten. Dikur, për këtë shqiptarët kanë mbajtur vite të tëra burgu, vetëm e vetëm pse kanë mbrojtur të vërtetën e madhe, kanë mbrojtur të drejtën për liri e bashkim kombëtar, të drejtën tonë për jetë, të drejtën tonë për fjalën e lirë dhe të drejtën për shtet ndërtim.

Në LPK, së bashku me shumë atdhe e liridashës, isha i angazhuar që herët, po ceki këtu vetëm Mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPRK-së, atë kohë, që është mbajtur me 28/29 korrik të vitit 1993 në Prishtinë, kjo nuk ishte pa sakrificë, ngasë po të denoncoheshim, pasonte rezistenca me armë kundër policisë Serbe, dhe ne ishim të armatosur, pra nuk ishim në atë mbledhje që të dorëzoheshim, por që të merrnim vendime të mëdha, natyrisht edhe të jepnim të parët shembullin e rezistencës!...
Dikush, edhe mund të bëj humor të zi sot, por kjo ka ndodhur edhe më parë, si me rastin e rrethimit të Dëshmorëve të kombit Bajram Bahtiri, pastaj Nuhi Berishës e Rexhep Malës, Afrim Zhitiu e Fahri Fazliu, Hasan Ramadani e deri tek rezistenca e Tahir e Nebih Mehës e kështu me radhe. Prandaj mbrojtja e së vërtetës, para së gjithash është kod moral dhe obligon të gjithë.

Rivaliteti politik, duhet parë si vlerë dhe jo si konkurrencë

As ne nuk jemi imun nga kjo dukuri. E saktë, për fat të keq kjo shëmti ka përcjellë njerëzimin nëpër shekuj që nga lashtësitë. Në të gjitha kohët, janë grindur dhe urryer rivalët për vdekje, si  tiranë, sundimtarë, sulltanë, mbretër, despotë, princër, mjeshtër, filozofë, krijues, artistë e deri tek njerëzit e politikë- bërjes sot, prandaj nuk bëjmë ndonjë përjashtim as ne. Shajnë dhe linçojnë figura të caktuara që kombit i kanë dhënë më shumë nga bashkë-kohanikët e vet, si Skënderbeu, Zaharia Gropa, Rrapo Hekali, Gjoleka, Dragobia, Curri, Boletini, Noli, Gurakuqi, Qemali, Prishtina e deri tek familja Jashari.
Pse linçohen këta, sepse në raport me kohën dhe me të tjerët, këta i kanë sjellë shoqërisë më shumë të mira nga të tjerët. Kanë qenë më largpamës, më të vendosur dhe më të guximshëm së të tjerët.
Ky fenomen epërsie psikologjike, nuk paraqitet vetëm tek njerëzit, por edhe tek kafshët, të vetëdijshëm se njeriu i takon botës shtazore dhe jo e asaj bimore. Pra, vetëdija jonë si qenie, ka një shkallë më të avancuar të zhvillimit: përderisa kafshët, në shenjë dominimi mbi kundërshtarin, përdorin brirët, dhëmbët dhe shqelmat, në të mirën e njerëzimit është që të distancohemi nga kafshët, pra të mos “kafshojmë” më dhëmb, të mos i gjuajmë me shqelma njëri-tjetrin, por t’i respektojmë ata që shoqërisë i kanë dhënë më shumë nga të tjerët!...

Për kundër kësaj, konsideroj së në organizatën e LPK-ës, shumica e tërësisë, kanë qenë të përkushtuar shumë sinqerisht, kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre për liri e bashkim kombëtarë. Pa dyshim se duke qenë për një kohë të gjatë në krye të një organizimi, dashurohesh në vet-vete, dhe kjo të krijon përshtypjen së vetëm ti je i gjithëdijshëm dhe i pazëvendësueshëm!
Prandaj nuk e duron dot mendimin e tjetrit, mendimin ndryshe, apo mendimin e të kundërtave, aq më pak largimin nga posti, detyra, karrigia e kështu me radhë, gjëra që ne sot po i shohim përditë me sytë tanë, madje tek të gjithë liderët partiak në Kosovë, Shqipëri, Ballkan e më gjerë. Kështu kanë lindur dikur diktatorë të tërë që kanë bërë kërdinë, përderisa populli është detyruar t’i përmbys me revolucion...

Pak a shumë kështu kishte ndodhur edhe me kryesinë e vjetër të LPK-ës, duke ardhur brezi i ri, i cili me vepra dhe punë konkrete, kishte larguar nga rruga shumicën e atyre që ia kishin zënë frymën organizatës dhe veprimtarisë konkrete në teren. Prandaj këtu edhe i ka rrënjët linçimi, retushimi e deri tek mos durueshmëria e papërmbajtur mes figurave të caktuara politike. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur ne të gjitha kohërat, ky është realiteti, dhe këtë, ne duhet ta pranojmë pa ekuivokë dhe ta luftojmë si dukuri të pakëndshme negative.
Është e ligjshme, që në krye të një organizimi politik, ekonomik, kulturorë, sportiv, krijues, shoqate humanitare etj, të ketë të zgjedhur, të emëruar, të caktuar, të ngarkuar etj. persona apo personalitete, që ushtrojnë një detyrë për një kohë të caktuar, por jo pafundësisht. Duke u përpjekur që të bëhemi të përjetshëm dhe të pazëvendësueshëm, ne, më pastaj bëjmë gabimin trashanik, kosto kjo që zakonisht përplaset mbi kurrizin e shoqërisë.

Edhe në organet udhëheqëse të LPK-ës, kishte ardhur koha për zgjedhje me parimin e shumicës, dhe kjo ndodhi. Pas mbajtjes së mbledhjeve të radhës të tretë, katërt, pestë e kështu me radhë, kryesinë e mëparshme e pason kryesia e përkohshme me Jashar Salihun, Mardhyl Mahmutin, Sejdi Gegën, Bedri Islamin, Mehmet Bislimi etj. Mbledhja e radhës konstituohet dhe zgjedh kryetar z. Bedri Islamin. Kjo ishte e tëra, tani mirë, keq e qëlluar apo jo, e ka njohura kryesia e vjetër këtë të renë etj - ishte kështu dhe nuk ishte ndryshe.

Në vazhdim

Në Zvicër, së bashku me shokët e organizatës, kemi mbajtur me dhjetëra tubime organizative, mobilizuese dhe tjera. Kemi mbajtur edhe mbledhje të karakterit organizative kombëtar, ku janë marrë edhe qëndrime, madje janë mbajtur edhe shumë demonstrata, ku para qarqeve ndërkombëtare janë shtruar kërkesa të qarta për zgjidhjen e fatit tonë kombëtar.
Janë mbajtur me dhjetëra demonstrata tjera të thirrura nga organizata e LPK-ës, si në Cyrih, Bernë, Gjenevë, ku edhe kemi dorëzuar Peticion në Selinë e OKB-ës, unë: Mehmet Bislimi, Bardhyl Mahmuti dhe Naim Mala.
Pashkëputur, kemi mbajtur me dhjetëra tubime që nga Anglia, Norvegjia, Suedia, Danimarka, Finlandë, Holandë, Luksemburgu, Belgjika, Francë, Gjermani, Zvicra, Austri, Itali, madje edhe në Amerikë e Australi. Konsideroj së jemi përpjekur për të kryer detyrat tona në shërbim të atdheut- kaq dhe vetëm kaq pa asnjë interes tjetër personal.      

Me të mbërri në Zvicër, së bashku me shokët kemi filluar me angazhimin tonë në shërbim të çështjes sonë të pazgjidhur. Më vonë, kemi mbajtur Mbledhjen e 5 të Përgjithshme të LPK-ës, pastaj atë të 6-të e kështu me radhë, duke i konsoliduar radhët e organizimit. Duke qenë se isha edhe anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm dhe më vonë edhe i Kryesisë së përkohshme të organizatës, kemi marrë obligime të rëndësisë së veçantë, duke dhënë gjithçka nga vetja, deri edhe futjen brenda në Kosovë përkrah luftëtarëve të lirisë. Mendojë së nuk ka pasur gjë më të bukur së ato ditë të lavdishme që kemi prekur me dorë tokën mëmë, dhe luftëtarët e lirisë së atdheut tonë të përbashkët!


Në vazhdim... mençuria dhe gatishmëria për t’i dalë zot atdheut, duhet të dëshmohet kur atë e kërkon koha dhe interesi i atdheut, dhe jo pas kohe. Pra ishte kohë lufte kur atdhedashësit trima, hodhën armët e lirisë krahut, dhe iu përgjigjen kushtrimit të atdheut, dhe tani kur lufta iku... nuk ka më vend për rrahagjokseje!
Katërçipërisht, ky është absurdi i kohëve të sotme, rrahagjoksit nuk pushuan as njëzetë vite pas lufte, së e bëri ai apo ky “historinë!”...

LPK, kishte kërkuar mbështetjen e popullit dhe bijve më të mirë për të vepruar në interes të atdheut, dhe kundër interesit dhe synimeve të pushtuesit Serb, duke e paguar edhe me gjak çmimin e lirisë së atdheut. LPK, nuk jetonte në iluzione siç po u pëlqente një pjese tjetër (prese jo), përderisa krijuan iluzionin së lirinë do të na e sjellin të tjerët në pjatë, e kujt nuk do t’i pëlqente kjo, që liria të vinte dhuratë nga qielli!?
Po, tamam iluzion, fati i iluzionistëve është shikimi i filxhanit, fallit, ëndrrat që ata i shihnin natën, dhe i komentonin ditën nëpër kafenetë e qytetit...
Ëndrrat dhe iluzionet, nuk janë më shumë së fati i të dobëtëve, prandaj LPK, nuk kishte iluzione, nuk ëndërronte por vepronte në teren që lirinë e atdheut ta bënte realitet.

Ne, para së gjithash, duhet të jemi korrekt, të arsyeshëm dhe të guximshëm për ta thënë të vërtetën, pavarësisht nëse ju pëlqen të tjerëve apo jo. Parimi më elementar i të drejtave të njeriut është të shprehurit e lirë në kohë dhe me kohë!
E kemi thënë edhe atëherë, po e themi prapë; nuk ka dhe nuk ka pasur shtet të pushtuar në botë, që ka fituar lirinë duke bërë sehir, duke medituar e duke pirë!... jo edhe një herë jo, liria e çdo shteti ka tagrin e vet, natyrisht së edhe Kosova e ka paguar këtë, madje shumë shtrenjtë. Kjo nuk do shumë koment, po shihen shumë qartë sjelljet e Serbisë, madje edhe tani pas 20 e sa vitesh!
LPK, kishte atdhedashës në gjirin e vete, të cilët e kishin dhënë shembullin e vet të sakrificës, dhe atë me dhjetëra herë- dallimi mes një figure që me vetëdije të plotë sakrifikon për atdhe, dhe i një tjetri, që me vetëdije të plotë i përshtatet dhe nënshtrohet rrethanave të pushtimit, është dhe mbetet një lum i madh... Ky pra është dallimi mes figurave historike, dhe atyre që mundohen t’i servohen historisë!

Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, ne shokët e organizatës, kemi kryer detyra me përgjegjësi, kemi qenë edhe pjesëmarrës të luftës çlirimtare, pra, as gjë më shumë së të tjerët shokë e luftëtarë të lirisë. jemi përpjekur t’i kryejmë obligimet ndaj atdheut, që është obligim yni kombëtarë.
Takimet me mërgimtarët, kanë qenë të nivelit mobilizues në ndihmë të çlirimit të atdheut, nuk ka vend në Evropë, Amerikë, madje edhe në Australinë e largët, që nuk kemi qenë prezent. Në rrafshin Diplomatik, po ashtu janë përpjekur maksimalisht me gjithë kapacitetin e tyre anëtarët e sektorëve të veçantë- për kushtet e asaj kohe.

Veprimi klandestin

Lëvizja Popullore e Kosovës në rrethana të pushtimit, ishte e shtrënguar të vepronte në mënyrë klandestine. Madje edhe në perëndim në shtetet përkatëse ku ajo vepronte. LPK, nuk lejohej të vepronte si organizatë politike. Ish shërbimet e UDB-ës, bënin presion kudo në ato shtete ku LPK vepronte, që kjo organizatë të shpallej e ndaluar, ilegale- pra jashtë ligjit! Fatkeqësisht, këtë UDB-ja e atëhershme, në shumë shtete të perëndimit e kishte arritur, madje edhe kishte likuiduar me atentat disa nga atdhetarët tanë të devotshëm, emra e veprimtarë me nam, si Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Enver Hadrin, Musa Hotin e të tjerë.

Gjatë gjithë luftës sonë çlirimtare, LPK, nuk kishte kursyer asgjë për të arritur aspirata tona shekullore. Tani, diku nga fund maji i vitit 1999, Këshilli i saj i Përgjithshëm (mbledhur në Bazel), kishte caktuar një këshill, në përbërje me Ibrahim Kelmendin, Xhevat Bislimin, Ramiz Lladrovcin, Halil Selimin, Mehmet Bislimi, dhe Jakup Krasniqi nga brenda vendit, për ta transformuar LPK-në, në subjekt, që do ta përfaqësonte UÇK-ën, politikisht.
Madje, ishin ndarë edhe detyrat. Ishte caktuar që mbledhja do të mbahej në Tiranë me 20 qershor. Me këtë rast, Naser Idrizi ishte ngarkuar që në Tiranë të përgatisë shërbimet logjistike të kësaj mbledhje, ku do të ftoheshin edhe Komandantet e Zonave, ose përfaqësuesit e tyre nga vija e frontit në Kosove etj. Këtë iniciativë transformimi, në mënyrë të Veçantë e kishin shtyrë Xhevat dhe Mehmet Bislimi.

Me 11 qershor 1999, Serbia, pranoj kapitullimin e saj, nënshkroi “marrëveshjen e Kumanovës”, para faktorit ndërkombëtarë. Në vazhdim, LPK, nuk e ndryshoj qëndrimin e vet, këtë mbledhje e mbajti me 20 qershor, veçse kësaj radhe në Prizren. U mblodhën aty Komandantët e Zonave, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, Drejtoria e saj politike dhe Shefi i saj z. Thaçi.
Mbledhja filloj punimet, pro Shefi i Drejtorisë Politike të UÇK-ës, z. Thaçi nuk pranoj që të vihej në krye të këtij subjekti (ishte e qartë, ai ishte ende përfaqësues ushtarak!), dhe kjo nuk e lejonte atë të kalonte në krah politik.
Atë ditë, një pjesë e organizatës, nuk pranoj që të kaloj në këtë subjekt politik, ata vazhduan, ta themi, si një lloj fraksioni i LPK-ës, që do të vazhdonte më tutje, ishin; Fazli Veliu, Gafurr Elshani, Ali Ahmeti, Emrush Xhemaili, Murat Bytyqi e të tjerë.

Atë ditë u themelua si të thuash Këshilli Nismëtarë i Subjektit, i cili u quajt Partia e Progresit Demokratik të Kosovës, PPDK, të cilës i priu Bardhyl Mahmuti, deri në mbledhjen e saj të konsolidimit, ku u zgjodhën Organet e saja mandatare, në krye me Hashim Thaçin, subjekt ky që u pagëzua përfundimisht me emrin Partia Demokratike e Kosovës- PDK.
Kjo ishte pak a shumë, përpjekja për transformim të LPK-ës, në krah politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila do ta kishte subjektin e vet pasues politik, Iniciativë kjo e cila nuk u realizuar asnjëherë në tërësinë e saj.

LPK, më vonë doli edhe si subjekt politik me vete, garoj në konkurrencë vlerash politike me rastin e zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë- fatkeqësisht, nuk u rendit lartë, mbase si pasojë e njëmendësisë së bartësve të saj, dhe shantazheve tjera- mendimi im. Ka vite që LPK, si subjekt politik në Kosovë është në një farë forme pasive!...
Nga e gjitha kjo, aktualisht në Kosovë, me këtë emër vepron “Shoqëria Lëvizja”, e cila ka edhe një dritare- portal elektronik që përditësohet po me këtë emër, të cilës i prinë Xhevat Bislimi.

Atë kohë LPK, krahas transformimit në krah politik, kishte vendosur edhe transferimin e saj në Kosovë, ku solli arkivin e gazetës “Zëri i Kosovës”, madje në Kosovë nxori edhe disa numra të saj. U kthyen inventari, arkivi i saj dhe njerëzit u përkushtuan për punë. Por që nuk iu qëndruan shantazheve, intrigave dhe linçimeve tjera të cilat ia pamundësuan jetëgjatësinë e saj të veprimit!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024