Të renditur në pozitën e katërt në tabelën e Superligës së Kosovës, dështimi për t’u futur në “Final Four”, të Ligës Ballkanike dhe disfata në ndeshjen e parë të play-off-it, ndaj Prizrenit 16, tregojnë qartë se klubi i basketbollit “Sigal Prishtina”, ka performuar shumë larg pritjeve në këtë edicion garues.
Këto rezultate jo të mira i pranojë edhe vet stafi drejtues i klubit duke përmendur lëndimet e shumta dhe mospërvojën e lojtarëve si dy arsyet kryesore që kanë sjellë skuadrën deri në këtë pikë. Drejtori gjeneral i skuadrës, Edmond Azemi thotë për KosovaPress, se ka pasur raste kur në ndeshjet e ligës kanë pësuar disfatë në sekondat e fundit dhe se kjo ka ardhur kryesisht për shkak të mungesës së përvojës së lojtarëve.
Synimi për të fituar trofe në këtë edicion mbetet edhe me tutje në fuqi. Azemi thotë se Sigal Prishtina, synon gjithmonë të fitojë trofe dhe këtë do ta kërkojë sërish përmes ndeshjeve të play-off-it.
“Gjithmonë synimi i Prishtinës ka qenë ta fitojë titullin, Kupën ose Ballkan Ligën, ose edhe Superkupën e Kosovës. Por synimi yne prej fillimit ka qenë që t’i inkuadrojmë këta lojtarë të rinj sepse e dimë që viteve të kaluara ata nuk kanë pasur përvojë në lojë, më shumë kanë qëndruar në bankën e rezervistëve dhe na ka shikuar neve lojtarëve që kemi pasur më shumë përvojë si mua, Dardanin, Fisin, Granitin e të tjerë, por synimi ka qenë i yni që t’i inkuadrojmë këta lojtarë vendor, të fitojnë më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare dhe në Ligën e Kosovës. Ne e dimë që nëse na prinë fati, na kthehen lojtarët, normal që synimi do të jetë titulli”, theksoi Edmond Azemi.
“Është shumë herët sepse ne kemi një ekip të ri dhe do të përballemi me kundërshtarin e parë. Nuk kemi nevojë të mendojmë rreth titullit rreth arritjeve të mëdha, ne vetëm kemi nevojë të jemi të fokusuar dhe të koncentrohemi për ndeshjen e nesërme e cila mendojmë se do të jetë shumë e vështirë dhe kjo është e gjitha. Para se gjithash ne kishim disa situata të vështira sepse ne kemi një ekip të ri dhe kemi filluar t’i rrisim disa lojtarë të rinjë të cilët nuk kanë luajtur kurrë në këtë nivel. Kemi luajtur në dy liga serioze si Liga e Kosovës dhe Liga Ballkanike. Kishim ulje-ngritje por është normale për shkak se kemi një ekip të ri. Tani të shohim sepse ne kemi tashmë gjashtë lojtarë të rinj që janë gati për ndeshjet e play-off-it”, ka thënë Nazor.
Kurse, kapiteni Muhamedali Janjeva pranon që rivaliteti në këtë edicion është i një niveli si asnjëherë më parë. Ai pret garë shumë interesante në play-off dhe shprehet i bindur se Prishtina do të jetë në mesin e skuadrave pretendente për ta rrëmbyer trofeun e më të mirit në basketbollin e Kosovës.
Ndeshjen kthyese ndaj Prizrenit 16, Sigal Prishtina do ta zhvillojë sot dhe i nevojitet vetëm fitorja që më pas do të siguronte edhe zhvillimin e ndeshjes së tretë dhe vendimtare për kualifikim në gjysmëfinale të play-off-it.