LDK paralajmëron se buxheti mund të përfundojë në Kushtetuese, ja reagimi i Konjufcës
Lexohet për: 3 min.
Seanca-14-qershor-1
2 vite më parë
Linku u kopjua

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) është kundër projektbuxhetit 2023, madje kjo parti pret që ky projektligj të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë shqyrtimit në lexim të dytë Deputeti nga LDK, Avdullah Hoti tha se projektligji për buxhetin ka disa anomali substanciale dhe është anti kushtetues, duke iu referuar tërheqjes së disa mjeteve vetanake të komunës së Prishtinës.

Deputeti Hoti ka kritikuar p ashtu se në buxhetin 2023 nuk janë përfshirë premtimet e partisë në pushtet, në këtë rast Vetëvendosjes.

“Ajo që është kërkuar për këtë buxhet, është evidentim i premtimeve të juaja me i reflektuar në buxhet. As atë se keni bërë. Ne kemi pritë që gjatë dy leximeve t’ i reflektojmë disa anomali substanciale që i ka projektligji. Duke filluar nga e para, projektligji në nenin e caktuar është të pjesës tekstuale është qartë antikushtetues. I kemi dhënë argumentet tona në komision, ke e ka bërë një analizë zyra ligjore e kuvendit, ministri nuk ka dashur as me reflektuar. Madje, as nuk e ka mbrojtur që ky nuk është kundër kushtetues. Dhe sot kuvendi mund ta votojë një ligj që mund të përfundojë direkt në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nuk është e mundur që të hyrat nga mjetet vetanake në Prishtinë nga tatimi në pronë që mblidhen në “Dardani” e “Ulpianë”, ato mjetet me i dërguar për një rrugë ta zëmë në Mitrovicë ose në Gjilan. Krejt argumentet janë kundër këtij neni, ndërsa qeveria nuk donë as me reflektuar as me dëgjuar. Kështu që s’ka si me ia dhënë mbështetjen një projektligji të tillë”, tha ai.

Ndaj ish-kryeministrit Hoti ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca. Kryetari i Kuvendit, kërkoi të mos ketë nguti, sepse siç tha ai mund të arrihen do kompromise të mira për këtë buxhet.

“Mund të arrihen do kompromise të mira për këtë buxhet me dashtë. Pse po nguteni bre? “Ngadalë, ngadalë, që ka thënë ai”, është shprehur Konjufca.

Hoti ka repikuar ndaj Konjufcës, ku tha se nuk bën të komentohen diskutimet e deputetëve.

“Besoj që është edhe detyra e juaja sot me i çuar këto përpara, e jo me I komentuar diskutimet e deputetëve”, tha ai.

Ish-ministri i Financave, Hoti ka kritikuar qeverinë edhe për ndarjen e mjeteve sipas tij jo të drejtë për projektet kapitale.

Në projektligjin për buxhet janë propozuar 97 amendamente. 10 prej tyre janë të Komisionit funksional, 82 janë të propozuara nga deputetët, por pa përkrahjen e Komisionit funksional dhe 5 amendamente të komisioneve tjera parlamentare. /I. Shabani/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025