LDK kundër propozimit të Muratit për faljen e 100 eurove të tatimit: Amatorizëm
Lexohet për: 5 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Lidhja Demokratike e Kosovës, sot në një konferencë për media, të thirrur lidhur me rritjen e çmimit të tatimit në pronë e quajti pushtetin të paaftë, “i cili edhe më tutje po rritë koston e jetës së qyetarëve”.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami deklaroi se veprimi i rritjes së bazës tatimore është papërgjegjësi e arrogancë. Ajo akuzoi qeverinë se po braktisë qytetarët.
“Në kohën e rritjes së paprecedentë të çmimeve, qeveria e paaftë e ka rritur bazën tatimore për tatimin në pronë. Kjo rritje është rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së vlerësimit të pronave nga ana e Ministrisë së Financave. Problemi është se kjo ministri në vlerësimin e fundit të pronave nuk ka marrë parasysh normën e lartë të inflacionit dhe rrethanat socio-ekonomike në vend. Aktualisht, Kosova është duke përjetuar një krizë ekonomike, ku qytetarëve u janë rritur vetëm çmimet, nuk ka lëvizje të pagave, nuk ka lëvizje të pensioneve, nuk lëvizje të të hyrave. Dhe, veprimi i rritjes së bazës tatimore është papërgjegjësi, është arrogancë nga ana e kësaj qeverie, e cila tashmë po shihet çdo ditë se i ka braktisur qytetarët.”, tha ajo.
Bajrami e quajti amatorizëm politik propozimin e minsitrit të Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati, që të falen 100 eurot e para për secilin tatimpagues të pronës.
Ajo tregoi edhe kërkesat e LDK-së lidhur me këtë çështje, ku ndër të tjera u kërkua që Minisitria e Financave, Punëve dhe Transfereve të procedojë sa më parë ligjin e ri për tatim në pronë.
“Ai nuk e ka idenë se si funksionon ekonomia dhe nuk i njeh ligjet, të cilat janë në kompetencë të dikasterit të tij. Ai nuk e di që kuvendet komunale nuk falin borxhe as tatime, kuvendet komunale nuk kanë të drejtë ta falin një tatikm, i cili derivon nga një ligj, i cili është i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe së treti, me qëllim që të adresohet çështja e faturave të tatimit në pronë, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga Minisitria e Financave, Punëve dhe Transfereve që me vendim të veçantë të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fundit të patundshmërive në vend dhe faturat e vitit 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022. Nën dy, Minisitria e Financave, Punëve dhe Transfereve të procedojë sa më parë ligjin e ri për tatim në pronë, ligj ky që tashmë është i gatshëm në Ministrinë e Financave”, u shpreh ajo, duke shtuar se me ligj të ri mund të adresohet të gjitha nenet, në të cilat janë sot pengesë për të bërë reflektuar gjendjen socio-ekonomike.
Bajrami tha se me ligj të ri mund të ulet pragu i tanishëm, pragu i ulët, i cili tani është 0.15 për qind, me ç’rast tha se kjo është kërkesë e të gjitha komunave në Kosovë.
Ajo kërkoi nga Ministria e Financave, përmes departamentit të tatimit në pronë, në bashkëpunim me të gjitha komunat gjatë vitit 2023 të bëjë rishikimin e plotë të procesit të rivlerësimit të pronave, pas përcaktimit të zonave që marrin zhvillimin e vendbanimeve dhe ngastrave kadastrale.
Deputetja Bajrami shtoi se Qeveria duhet të ndalë logjikën e varfërimit të qytetarëve, andaj shtoi se duhet të merren parasysh kërkesat e tyre, që pushteti të mos shkatërrojë buxhetin e familjeve në Kosovë. Ajo tregoi se kërkesat e tyre do t’i paraqesin në Komisionin për Buxhet, Financa, Punë dhe Transfere.
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj deklaroi se propozimi i ministrit Hekuran Murati për të falur tatimin në pronë në vitin 2023 është totalisht qesharak dhe amatorizëm politik dhe ekonomik.
“Kuvendet komunale nuk kanë të drejtë të falin borxhe, sepse tatimi në pronë është obligim që rrjedhë nga ligji për tatim në pronë, i aprovuar e i miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe si rezultat vetëm Kuvendi i Kosovës ka të drejtë që ta ndryshojë ose eventualisht të falë obligimet që dalin nga ky ligj. Andaj, thirrjet që kuvendet komunale të votojnë propozime të tilla janë mashtrim ndaj qytetarëve dhe janë të paligjshme. Ne si rezutat i kundërshtojmë dhe nuk do të marrim pjesë në këto thirrje.”, u shpreh ai.
Drejtori i Financave në komunën e Pejës, Jeton Abazaj u shpreh se të gjitha komunat kanë shtruar ankesë lidhur me rritjen e tatimit në pronë. Sipas tij, komunat s’kanë të drejtë të falin borxhe, por atë të drejtë e ka Kuvendi.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, më 27 janar i ka propozuar Komisionit për Buxhet që të falen 100 eurot e para për secilin tatimpagues të pronës. Ky propozim i Ministrisë së Financave, ai ka thënë se bëhet për shkak të gjendjes së rëndë financiare te shumë qytetarë dhe inflacionit të lartë.
Për shtrenjtimin e tatimit në pronë, ditëve të fundit ka pasur kritika nga deputetë të opozitës dhe qytetarë.