Për t’u lehtësuar barra e qytetarëve që janë goditur nga inflacioni i lartë, Lidhja Demokratike e Kosovës, po kërkon nga Ministria e Financave që me vendim të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fundit të pronave në vend dhe faturat e tatimit për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se është shqetësuese dyfishimi i çmimit në tatimi, pasi që nuk janë marrë parasysh edhe rrethanat socio-ekonomike.
Ajo thotë se kjo ministri, përkatësisht departamenti i tatimit në pronë, në bashkëpunim me komunat gjatë vitit 2023, të bëjnë rishikimin e plotë të procesit të ri-vlerësimit të pronave pas përcaktimit të zonave që marrin parasysh zhvillimin e vendbanimeve dhe ngastrave kadastrale. Kjo për shkak se gjatë ri-vlerësimit të pronave të bërë më 2022, janë përdorur zonat e vjetra, si dhe janë injoruar komplet nënzonat, pasi ka dështuar sistemi i Departamentit të Tatimit në Pronë.
“Është vërejtur që vlerësimi i pronave ka shumë gabime, të cilin e kanë konfirmuar edhe në shkresat zyrtare, vet Ministria e Financave drejtuar komunave të Kosovës, duke thënë që një prej mjeteve të softuerit nuk ka funksionuar dhe në fakt është injoruar komplet nën-zonimi. Kjo nënkupton që pasuri të tëra të patundshme tatohen sot me vlerësimin e ri njëjtë sikur ato që janë në rrugën kryesore, sikurse ato që janë në rrugë tretësore. Shqetësimi yni tjetër ka qenë që nuk janë marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike, dhe ne e dimë që prej vitit 2018 nuk ka pasur lëvizje të pagave për sektorin publik. Lëvizjet e pagave në sektorin privat për të kufizuara dhe nuk e adresojnë normën e inflacionit”, thotë ajo.
“Tani duke marr parasysh edhe inflacionin sidomos në shportën bazë të konsumatorit që e ka goditur shumë, gati qe 12 muaj qytetarët, ne kemi bërë kërkesë Ministrisë së Financave që në fakt ky rivlerësim të pezullohet, kurse faturat që i gjeneron Ministria e Financave t’i gjenerojë me vlerësime të fundit, që nënkupton që qytetarët e vendit të vazhdojnë të paguajnë tatimin në pronë në vitin 2023 të njëjtë me atë që e kanë pasur në vitin 2022. Ndërkohë që gjatë këtij viti, ministria e Financave në bashkëpunim me krejt komunat të bëjë një rivlerësim të saktë ku do të merren parasysh edhe nën-zonat, rivlerësim i cili pastaj mund të konsiderohet që të hyjë në fuqi në vitin 2024”, thotë ajo.
Përveç kësaj, ajo thotë se LDK kërkon nga Ministria e Financave të procedojs sa më parë në Kuvend, ligjin e ri për tatim në pronë, për t’iu lejuar fleksibilitet më të madh komunave në caktimin e normave tatimore.
Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, ditë më parë i ka propozuar komunave që të gjithë tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.
Megjithatë, sipas deputetes së Bajrami, kjo gjë s’mund të ndodhë sepse komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime. Për propozimin e Muratit, thotë ajo, e hedh poshtë ministria e tij ndërkohë që ka publikuar një shkresë të Ministrisë së Financave të drejtuar një kryetari komune për këtë çështje.