Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot takimin e radhës me Departamentin e Shëndetësisë, ku në praninë e shumë mjekëve e profesionistëve të fushës u diskutua rreth sfidave kryesore të qytetarëve në sistemin shëndetësor, mungesës së barnave esenciale, listës së pritjes, sigurimeve shëndetësore, e shumë çështje të tjera, të cilat vazhdojnë të mbesin sfidë e sistemit shëndetësor në Kosovë.
Në këtë takim, pjesa më e madhe e diskutimit iu kushtua programit politik “Rruga e Re”, i cili ka plan konkret për të përmirësuar sistemin e shëndetësisë në vend.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se takimi me ekspertë të shëndetësisë po bëhet për përditësimin e platformës qeverisëse të partisë. Ajo përmendi listën esenciale të barnave, listat e pritjes dhe mungesën e progresit sa i përket sigurimeve shëndetësore si ndër dështimet e Qeverisë Kurti.
“Është një takim i rregullt i ekspertëve të shëndetësisë në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Siç e dini ka një vit që e kemi programin rruga e re. Sot jemi mbledhur që të diskutojmë sfidat aktuale në sektorin e shëndetësisë në përgjithësi. Programi ka nevojë që të përditësohet, pasi ne qysh e kemi lansuar kemi thënë se ky do të jetë një dokument i gjallë dhe tani numri i ekspertëve në departament është më i madh. Gjendja në shëndetësi është alarmante si me listën esenciale të barnave, listat e pritjes për operacione, mungesë totale e progresit sa i përket sigurimeve shëndetësore, s’ka investime në pajisje dhe s’ka investim në ndërtim të klinikave shëndetësore. Stafi është i pakënaqur me kushtet e punës”, tha Bajrami.
Projektet kryesore të programit politik “Rruga e Re” në fushën e shëndetësisë janë koeficienti 150, që i bie rritje të pagave për mjekët nga 814 euro në 1110 euro, sigurimet shëndetësore, ndërtimi i Qendrës së Re Spitalore, sistemi informativ shëndetësor, menaxhimi i kontraktuar; për herë të parë në historinë e Kosovës do të ndahet menaxhmenti shëndetësor nga profesioni shëndetësor
Lidhja Demokratike e Kosovës që disa muaj, ka nisur takimet me departamentet e të gjitha fushave ekzistuese të saj. Në këto takime, përveç diskutimeve të problemeve në fushën përkatëse dhe shpalosjes së projekteve kryesore të programit politik “Rruga e Re”, që nxjerrin sektorin nga kriza, po ashtu po punohet edhe në aktualizimin e programit.