LDK: Do t’i dërgojmë në Kushtetuese ligjin për KPK-në dhe atë për KPM-në
Lexohet për: 3 min.
ldk
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Lidhja Demokratike e Kosovës po paralajmëron që dy ligjet të cilat janë miratuar sot në Kuvend ai për  Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe për Komisionin e Pavarur të Mediave, do t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Ata thonë se LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave.

Komunikata e plotë:

Votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet, të dy ligjeve jetike për organizmin tonë shoqëror, atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij të Komisionit të Pavarur të Mediave, shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës.

Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës.

Mospërputhja, ndërsa, me direktivat e Bashkimit Evropian, e të dy ligjeve në fjalë, është shmangie vlerore e orientimit tonë euro-atlantik, një praktikë tashmë e zakontë e pushtetit popullist që udhëhiqet nën logjikën e të majtës ekstreme.

LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave. Demokracia si vlerë e si praktikë, për ekstremistët e majtë mund të jetë e rëndë, por për Republikën e Kosovës është e shenjtë.

Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim.

Fatkeqësisht për vendin, humbja e kohës për të pasur një reformë të denjë e thelbësore në drejtësi, mbetet e parikuperuar. Ky pushtet, po i përfundon të katër vite qeverisje, në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institutioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024